Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masë sigurie për ish-kryeministrin Sali Berisha. Pas ndalimit të dhëndrit, Jamarbër Malltezi, mëshet se për Berishën është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe ndalim dalje nga shteti.
Kryedemokrati ka njoftuar konferencë urgjente për shtyp në orën 21:00. Masat e sigurisë lidhen me çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani në Tiranë, ku dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi akuzohet korrupsion dhe pastrim parash.
Kallëzimi në SPAK
Më 17 nëntor 2020 Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon ‘pastrim të produkteve të veprës penale’.