Në Hot të Malësisë së Madhe u përurua memoriali kushtuar figurave të shquara kombëtare, mes të cilëve Fishta dhe Çun Mula si dhe një rrugë e re, financuar këto nga emigrantët e zonës, që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me kontriburin e tyre në Hot po restaurohet, për të kthyer në muze, edhe kulla e prijësit popullor, Çun Mula. Pas rrëzimit të komunizmit, emigrantët nga Malësia e Madhe që jetojnë në SHBA, kanë kontribuar në vendlindje për përmirësimin e infrastrukturës publike dhe ruajtjen e vlerave të traditës.

Memoriali është vendosur në ballinën e kishës së vjetër që po rindërtohet dhe i kushtohet Dedë Gjo Lulit, Marash Ucit, Mul Deli Bajraktarit, Fishtës, At Benedikt Pemës dhe At Erazmo Balneos. Dom Ardian Arra thotë se, memoriali bashkë me restaurimin e kuvendit të vjetër françeskan dhe rrugën e re janë financuar nga emigrantët hotjanë, që jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara te Amerikës.

“Bëhet fjalë për një kishë rreth 400 vjeçare, e cila ka qenë kisha e parë në të gjithë Shqipërinë që është mbyllur prej komunizmit dy vjet para se të mbyllen të gjitha kishat e tjera. Atëherë kishte mbetë si rrënojë, por me kontributin e emigrantëve hotjanë dhe dëshirën e tyre kemi bërë të mundur, jo me ndërtu një kishë siç ka qenë atëherë, por kemi bërë këtë memorial për me kujtu e rikujtu këtë vend”.

Për studiuesin shqiptaro-amerikan Lulash Palushaj, autor i disa monografive kushtuar historisë së Malësisë së Madhe, memoriali është dëshmi e kujdesit të malësorëve dhe emigrantëve për vendlindjen dhe ruajtjen e traditave të shquara kombëtare.

“Financiarisht ata gjithmonë kontribuojnë dhe është për t’i nderu çdo herë, si për këtë monument, por edhe për ato evenimente shqiptare si për kulturë, ndërtim, etj. U qoftë nderi për çka kanë kontribu për vendlindjen”.

Pjesëmarrës në ceremoninë e zhvilluar në Brigje Hot, Çun Lajçi thotë se Malësia e Madhe të befason me figurat e shquara kombëtare dhe traditat e pasura jo vetëm kulturore, por edhe atdhetare.

Arjan Bajraktari është nismëtar i fushatës për restaurimin e kullës së Çun Mulës, prijësit të Hotit, i nderuar me medaljen “Nderi i Kombit”, i cili, pas vendimeve të Kongresit të Berlinit(1878) për dorëzimin e trojeve shqiptare, iu bashkua Lidhjes së Prizrenit. Edhe për restaurimin e kësaj kulle, që gjendet në qendër të Hotit, po kontribuojnë financiarisht shqiptarët e Amerikës.

“Shqiptarët dhe diaspora e shqiptarëve në Amerikë kanë kontribuar jo vetëm për të gjithë Hotin, por edhe për rinovimin e kullës së Çun Mulës, e cila po shkon drejt përfundimit të punimeve të saj dhe shpresojmë që vitin tjetër të bëjmë inaugurimin duke u përpjekë që ta kthejmë në muze”.

Gjatë periudhës së diktaturës nga Malësia e Madhe u larguan drejt Amerikës si emigrantë politikë një numër mjaft i madh i malësorëve. Me rrëzimin e komunizmit, pas vitit 1990, ata investuan në përmirësimin e infrastrukturës së shkatërruar, ndërtimin shkollave, kishave, rrugëve, ujësjellësve, por edhe restaurimin e monumenteve të historisë së vendlindjes./VOA