Në 8 muajt e parë të këtij viti sërish Kaskada e Drinit ka vijuar të jetë burimi kryesor i prodhimit të energjisë në vend ku nga rreth 6.2 milionë megavat orë që ishte prodhimi total në janar-gusht pjesa më e madhe i takon Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Nga të dhënat zyrtare të 8-mujorit të publikuara nga Enti Rregullator i Energjisë tregojnë se KESH ka prodhuar 59.4 për qind të sasisë së energjisë së prodhuar në vend ndërkohë që pjesa e privatëve ishte 40.7 për qind.

Hidrocentralet private të lidhur në rrjetin e transmetimit prodhuan 750 mijë Megavat orë apo 12.1 për qind të totalit, ata të lidhur në rrjetin e shpërndarjes kishin një nivel lehtë më të ulët se grupi i parë duke përbërë 11.4 për qind të totalit.

Ndërkohë grupi tjetër i privatëve që shesin në tregun e lirë, kanë prodhuar 9.35 për qind të totalit.

Viti 2023 ka qenë një vit më i mirë nga ana hidrike sesa viti paraardhës duke i dhënë kështu mundësi kompanisë publike por edhe privatëve për të pasur një prodhim më të qëndrueshëm energjie çka ka ulur edhe nivelin e importeve të cilat deri në gusht ishin minimale.

Ndërkohë gjatë shtatorit dhe tetorit KESH ka nisur blerjet në tregun e lirë për të siguruar furnizimin me energji të vendit në kushtet kur edhe nivelet e Kaskadës janë ulur por edhe optimizmit të prodhimit të saj.