Pesë punonjës policie në Shkodër u pezulluan nga detyra pas një vendimi të gjykatës, e cila ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ata dyshohet se në vitin 2021 kanë dhënë informacione të rreme në lidhje me kultivimin e bimëve narkotike në zonen malore të Pukës.

Sipas gjykatës, pas kontrollit të territorit të fshatrave Curak dhe Shkozë, ata kanë deklaruar se nuk kanë konstatuar bimë narkotike të kultivuara, ndërkohë që disa ditë më pas, në këto zona janë gjetur 4000 bimë të dyshuara narkotike, të llojit kanabis.

Mes të pezulluarve nga detyra është ish shefi i seksionit për hetimin e krimeve në komisariatin e policisë së Pukës, aktualisht me detyrë shef i seksionit për arkivën kriminale dhe cilësinë e informacionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Gjithashtu, të pezulluar nga detyra janë edhe dy inspektorë policie me detyrë ndihmës specialistë për informacionin policor dhe arkiven kriminale si dhe dy të tjerë me detyrë oficerë të patrullës së përgjithëshme.

Ky është rasti i tretë brenda 5 muajve të fundit kur punonjës të policisë së Shkodrës pezullohen nga detyra dhe hetohen nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës dhe favorizimit të kultivimit të bimëve narkotike.

Në fund të muajit qershor u pezulluan 13 punonjës të policisë së Shkodrës, mes te cilëve edhe zv drejtori për hetimin e krimeve bashkë me shefin e seksionit për hetimin e krimit. Ata u akuzuan se në bashkëpunim kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Anës së Malit.

Ndërsa, në mesin e muajit shtator u pezulluan nga detyra 4 punonjës policie të stacionit policor në Velipojë; shefi i këtij stacioni bashkë me përgjegjësin e kontrollit të territorit, specialistin e hetimit të krimeve si dhe një inspektor policie. Pezullimi i tyre nga detyra u bë për shkak të dyshimeve se kishin lejuar kultivimin e bimëve narkotike në një sipërfaqe të madhe, në territorin e Velipojës, ku u zbuluan 10 920 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Që nga muaji qershor, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës janë pezulluar nga detyra 22 punonjës policie nën dyshimin se kanë favorizuar kultivimin e bimëve narkotike si dhe kanë neglizhuar me dashje marrjen e masave për parandalimin, evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve.

Që nga fundi i muajit prill e deri tani, në Qarkun e Shkodrës, ku përfshihen 5 bashki, janë zbuluar dhe asgjësuar 197 mijë bimë dhe fidanë kanabis, sasi kjo që është sa rreth 62 përqind e të gjithë bimëve narkotike të asgjësuara këtë vit në territorin e Shqipërisë. Kjo e bën Qarkun e Shkodrës zonën më problematike përsa i përket kultivimit të bimëve narkotike.

Marrë nga VOA