Ndeshja e kualifikueseve të Euro 2024, Shqipëri-Çeki ishte një festë e vërtetë për të shqiptarët që shijuan një 90-minutësh fantastik, jo vetëm në fushën e lojës me atë fitore të madhe 3-0, edhe jashtë fushe.

Pas masave të marra nga FSHF, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe të gjitha institucioneve të përfshira në organizimin e kësaj ndeshjeje, çdo gjë shkoi mirë dhe nuk u regjistruan incidente.

Federata Shqiptare e Futbollit falënderon veçanërisht Ministrin e Brendshëm, Taulant Balla dhe Policinë e Shtetit për punën e tyre të shkëlqyer dhe masat e marra para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Çeki.

Përmes një koordinimi të vazhdueshëm e një bashkëpunimi të ngushtë në javët e fundit mes palëve, u bë e mundur që të mos përsëriteshin problematikat e ndeshjeve të kaluara dhe të eliminohen incidentet, që mund të penalizonin Kombëtaren.

Kjo eksperiencë pozitive do të jetë mjaft e vlefshme në të ardhmen që përmes një koordinimi të tillë të mund të kemi organizim ndeshjesh model.