Një 25-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritete malazeze, i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Sipas mediave fqinje, ai është arrestuar në pikën kufitare të Sukobinit, ndërsa dyshohet se do të kryente vrasjen e një anëtari të klaneve të Kotorrit.

Ende nuk është bërë i ditur identiteti i tij, ndërsa në pranga ka rënë edhe bashkëpunëtori i tij nga Armenia, 35 vjeç, ndërsa një tjetër, po nga Armenia, është shpallur në kërkim.

Referuar mediave malazeze, mësohet se policia e Budvës mbrëmjen e djeshme ka vërejtur një automjet “VW Polo” me targa të Barit në rrugën “Slovenska plaža”, të cilin e ka ndaluar dhe i ka kryer kontroll.

Pas ndalimit të mjetit, tre persona kanë dalë me shpejtësi dhe kanë tentuar që të largohen, por vetëm njëri prej tyre ka mundur të shpëtojë.

Ndërkaq, në automjet u gjetën dy pistoleta ‘Glock’ me 19 fishekë secila, një pistoletë automatike ‘Scorpion’ me silenciator dhe 17 fishekë, dy maska ​​silikoni si dhe disa palë doreza dhe rroba për ndërrim.

Hetimet janë në vijim e sipër, për të zbardhur rrethanat nën të cilat ishte planifikuar kryerja e kësaj vrasjeje.