Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku ka dhënë detaje nga operacioni ‘Flakë në det’. Mësohet se në bashkëpunim me policinë italiane, është bërë i mundur ndalimi i një trafiku të drogës nga brigjet shqiptare drejt italianeve. Nga operacioni kanë rënë në pranga 4 shqiptarë dhe dy ukrainas, ndërkohë që janë sekuestruar 23 kg drogë.

“Fillimisht, dua t’ju sjell në vëmëndje dinamikën e megaoperacionit “Flakë në det”, i cili u organizua në bazë të inteligjencës policore dhe u realizua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, GDF-në, zyrën e Interforcës italiane në Shqipëri dhe FRONTEX-in. Në vijim të punës për goditjen e grupeve kriminale që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, Policia e Shtetit që në fillim të këtij viti, ka shtuar masat për monitorimin në terren, duke përdorur të gjitha kapacitetet teknike dhe njerëzore që ka në dispozicion. Në përmbushje të këtij prioriteti dhe në zbatim të motos “Kufij të pakalueshëm për krimin e organizuar”, u zhvillua dhe u finalizua dhe megaoperacioni policor “Flakë në det”. Megaoperacioni filloi menjëherë pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen e një mjeti lundrues të shpejtë, nga laguna e Patokut, në drejtimin jug-perëndim. Ky mjet lundrues ka kontaktuar në det në një distancë 12 milje një tjetër mjet lundrues tip Velierë, dhe dyshohet se shtetasit në këto 2 mjete lundruese, kanë shkëmbyer lëndë narkotike.

Në megaoperacion u përfshinë avionët e FRONTEX-it, ndërsa nga deti u përfshinë mjetet e Policisë Kufitare dhe mjete të GDF-së, të cilat kanë bërë rrethimin e velierës. Shtetasit që ndodheshin në velierë, sapo kanë konstatuar se ishin të rrethuar nga Policia, i kanë vënë zjarrin mjetit lundrues dhe me një barkë të vogël shpëtimi, kanë tentuar të largohen, por janë kapur në flagrancë. Në të njëjtën kohë kur u nderhy nga deti, Forcat Speciale “RENEA” ndërhynë nga toka, në ambientet e një lokali në lagunën e Patokut, ku qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. Në vijim, u shoqëruan në Polici dhe u arrestuan 4 shtetas shqiptar dhe 2 shtetasit ukrainas të cilët u kapen në mjetin e vogël lundrues, në afërsi të velierës, të cilës i kishin vënë zjarrin. Në cilësinë e provës materiale, gjatë megaoperacionit “Flakë në det” u sekuestruan 2 armë zjarri pistoleta, municion luftarak, një shumë e madhe parash, në valuta të ndryshme, 25 celularë dhe sende të tjera. Gjithashtu, u sekuestruan një sasi prej 23 kg lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa, e gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS”, tha Rrumbullaku.