Dy vëllezër janë shpallur në kërkim në Shkodër për kultivim kanabisi dhe armëmbajtje paleje. Mësohet se gjatë kontrolleve në banesën e tyre në fshatin Vuksanaj, janë zbuluar 70 bimë kanabis në proces tharje, një kallashnikov dhe 17 fishekë. Po punohet nga policia për të gjetur vëllezërit me emrat Tonin Mjacaj dhe Filip Mjacaj, të cilët janë shpallur në kërkim.

Njoftimi i Policisë:

Shkodër Kontrollet e mbështetura nga inteligjenca policore, bëjnë të mundur sekuestrimin e një arme zjarri kallashnikov dhe të disa fishekëve, si dhe asgjësimin e 70 bimëve cannabis sativa, në proces tharjeje. Policia vijon punën për kapjen e 2 vëllezërve, të cilët u identifikuan si autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike dhe të posedimit të armës së zjarrit. Si rezultat i patrullimeve të vazhdueshme në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë siguruar informacion se 2 shtetas kishin kultivuar bimë narkotike, në pronën që kishin në fshatin Vuksanaj.

Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën dhe kanë kryer kontrolle në banesën e këtyre shtetasve dhe në zonën përreth. Nga kontrollet, në një miniparcelë në afërsi të banesës, u gjetën 70 bimë narkotike cannabis sativa, në proces tharjeje, ndërsa në ambientet e banesës, u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe 17 fishekë. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u shpallën në kërkim 2 vëllezërit, pronarë të banesës, shtetasit T. M., 29 vjeç dhe F. M., 27 vjeç, të dy banues në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe. Policia vijon punën për lokalizimin dhe për kapjen e tyre. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.