Kryeministri Edi Rama ka dalë ditën e sotme në një konferencë për shtyp, teksa në qendër të kësaj konference ka qenë situata në veri të Kosovës.

Kujtojmë se ditën e djeshme kryeministri Rama është shprehur kundër deklaratës së Borrell dhe politikës së jashte të BE, lidhur me qëndrimin që kjo e fundit ka mbajtur për situatën mes Kosovës dhe Serbisë dhe tensionet e fundit.

‘Ky qëndrim ynë nuk është pritur mirë nga Brukseli’, u shpreh kryeministri Edi Rama, por “nuk do të ndryshojë pa dalë deklarata që ne presim”.

Për herë të parë, në të paktën 10 vitet e fundit, Shqipëria nuk u linjëzua me një deklaratë të politikëës së Jashtme të BE-së.

Ky fakt ka shkaktuar një përshtjellim.

Jemi përpjekur që pardje që deklarata të reflektonte edhe zhvillimet dramatike të ditëve të fundit, konkretisht vrasjes e Afrim Bunjakut dhe shpalljen e zisë në Beograd për vrasjen e sulmuesve.

Miqtë në Bruksel na kanë shpjeguar se nuk ishte e mundur diçka e tillë, pasi deklarata ishte konfirmim i vendeve anëtare të BE-së i qëndrimit të Borrel pas takimit të dështuar të 14 shtatorit mes dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Kemi theksuar domosdoshmërinë që publikimi i kësaj deklarate duhet të bëhej njëkohësisht, apo të paktën të pasohej nga një deklaratë e dytë mbi zhvillimet e patolerueshme.

Na u tha se kjo është e pamundur momentalisht dhe deklarata kritike ndaj Kosovës e kishte marrë të gjithë mbështetjen e vendeve anëtare të BE.

Ky qëndrim ynë nuk është pritur mirë nga Brukseli. Jemi të keqardhur për këtë, por qëndrimi ynë nuk ndryshon. Jemi gati të linjëzohemi sapo të dalë deklarata që ne presim.

Ky qëndrim ka të bëjë me zhbalancimin total që deklarata e djeshme shkakton në këtë moment dramatik.