Më 18 shtator në Shqipëri nis censi i popullsisë dhe banesave 2023.
Qytetarëve do u drejtohen rreth 100 pyetje të censit, shumicës prej të cilave ata janë të detyruar t’u përgjigjen.
“Të gjithë qytetarët që do i trokasin në derë janë të detyruar t’u përgjigjen pyetjeve,” tha për RTSH-në, drejtoresha e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli.
Përgjigjet me dëshirë janë vetëm për tre pyetje: për fenë, etninë dhe gjuhët, shtoi ajo.
Zonja Dhuli u shpreh se rezultati i pritshëm do të jetë një burim i plotë dhe i dobishëm për politikëbërjen në Shqipëri.
Sipas saj, informacionet do të lehtësojnë punën për hartimin e politikave që do të zbatohen në planet e ardhshme.
Instituti i Statistikave do të angazhojë në terren rreth 7 mijë persona. Ata do të mbledhin, kontrollojnë dhe përpunojnë informacionin, i cili nuk do të jetë më i printuar, sikurse në vitin 2011, por censi do të plotësohet në mënyrë elektronike.
Shqipëria organizon censin e popullsisë dhe banesave çdo 10 vite duke iu përmbajtur metodologjive të OKB-së. Rezultatet e censit pritet të publikohen në qershor 2024.