Një ndërhyrje delikate e shkallës së lartë të vështirësisë në kirurgjinë onkologjike, që zgjati 6 orë, u realizua me sukses në Spitalin e Shkodrës.
Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ndau foton e ekipit mjekësor që realizoi ndërhyrjen.
“Stafi i përgatitur dhe mundësitë e krijuara nga blloku i ri operator, e kanë bërë këtë spital rajonal një pikë referimi, jo vetëm për rajonin e veriut, por me shërbime të krahasueshme me qendrat terciare në vend”, tha Manastirliu.
Ministrja Manastirliu përgëzoi ekipin me Dr. Ardjan Dajtin, Dr. Lulzim Lekën, dr. Ervin Troshanin dhe infermieret Ardita Mati, Albana Shpuza dhe Sidorela Murrizi.
Investimi i qeverisë në bllokun operator të Spitalit Rajonal të Shkodrës kap shifrën e 1 milion dollarëve dhe garanton që në këtë spital të kryhen gati 100 % të ndërhyrjeve që kryhen edhe në QSUT.