Në kuadër të 5 shtatorit, ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës, Bashkia Vau Dejës në bashkëpunim me famullinë e shën Nikollit “Katedralja Vau Dejës” si dhe agjensinë e spektakleve Buna1, Buna2 zhvilluan një aktivitet festiv. Kryebashkiaku Kristian Shkreli tha se Shenjtorja Nënë tereza duhet të jetë shëmbull për secilin prej nesh pavarësisht përkatësive fetare pasi ajo ishte nëna e të gjithëve.

Famullitari i zonës Dom Kastirot Gjoka, u ndal tek nevoja për të shërbyer më të varfërve dhe këtë ipeshkëvia e Sapës e ka në fokus të përditshmërisë. Më pas dita e shenjtërimit të Nënë Terezës vijoi me festë, ku përbri shtatores së Nënë Terezës nuk munguan humori e as tingujt muzikor deri në orët e vona të mbrëmjes. 7 vite më parë Papa Françesku shpalli Nënë Terezën Shenjtore, e që nga ajo ditë për shqiptarët çdo 5 shtator është i veçantë dhe përkujtohet në mënyra të ndryshme ku në fokus është Nënë Tereza dhe veprimtaria e saj.