Nga Elton Qyno / Oranews
Megjithëse u duk si një dështim i operacionit “Metamorfoza”, duke mos realizuar arrestimin e disa prej emrave të njohur të botës së krimit, përfshirë dhe Behar Bajrin, në fakt ky personazh ka qënë në monitorim të plotë nga agjentët e policisë.
“Ora News” ka mësuar se për më shumë se 1 muaj nga nisja e operacionit “Metamorfoza”, agjentë të operacionales dhe grupit të kërkimit “FAST” në policinë e Shtetit, kanë mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Behar Bajrit, Pëllumb Gjokës, Xhevahir Lita dhe personave të tjerë, të implikuar në veprimet kriminale në dosjen “Metamorfoza”.
Bajri është monitoruar se ka dalë nga kufiri Shqiptar para muajit Korrik 2023, por nuk është vepruar pasi ende gjykata nuk kishte lëshuar masën e “arrestit në burg” ndaj tij.
Bajri mësohet se ka udhëtuar në Belgjikë dhe më pas në Francë, duke qëndruar tek disa persona të afërm të tij në qytetin e Strasburgut.
Strasburgu, është qyteti i Drejtësisë Europiane, pasi në këtë vend ndodhet dhe Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Lëvizjet e tij, kanë qënë të kontrolluara nga agjentët e “FAST”, të cilët një ditë më parë mundësuan arrestimin e të “fortit” të Shkodrës.
Gjatë momentit të arrestimit, Bajri nuk ka shfaqur rezistencë ndërsa ndodhej në ambjentet e një kafeneje.
Ai ka pretenduar se akuzat janë të pabaza dhe nuk është ai personi që ka biseduar me kodin e “SKY” në vrasjen e Gjin Boriçit dhe tek planifikimi i vrasjeve të tjera.
Por tashmë dy prokurorët e çështjes “Metamorfoza”, Altin Dumani dhe Arben Kraja, pritet të dërgojnë në drejtim të drejtësisë Franceze, kërkesën për ekstradimin e Bajrit në drejtim të Shqipërisë, ku do përballet me akuzat penale.
Brenda kësaj jave Behar Bajri, pritet të dalë para gjykatës së rajonit të “Grand Est” në Francë, për tu njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” që ka vendosur gjykata e Posaçme në Tiranë.