Teksa na ndajnë vetëm 1 javë nga nisja e vitit të ri shkollor, komuniteti rom dhe egjyptian që janë të vendosur pranë kontinierëve që u inaguruan 1 vit më parë, kanë nisur me përgatitjet.
Ata thonë se tashmë shkolla është pranë banesave ku jetojnë, dhe nuk kanë nevojë për transport. Nëse ne nuk kemi mundur të shkollohemi, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë me fëmijët tanë thonë prindërit. Dërgimi në shkollë i fëmijëve të këtyre komuniteteve ka qenë një sfidë për institucionet.
Por duket se tashmë një pjesë e tyre janë ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e shkollimit të fëmijëve. Të ndihmuar jo vetëm nga institucionet por edhe nga shoqata të ndryshme, e hëna do sjellë nisjen e proçesit mësimor edhe për këta fëmijë. Integrimi i tyre është tejet i vështirë dhe shkollimi shihet si mënyra më e mirë për largimin e tyre nga rruga.