Ndërsa shndërrimi i kishave, xhamive e sinagogave në muze ateizmi u përhap në Bashkimin Sovjetik dhe u kthye në një atraksion të çuditshëm, edhe Shqipëria e izoluar pati muzeun e saj të ateizmit. U hap në Shkodër, në 9 qershor të vitit 1973 dhe funksionoi deri në dhjetor të vitit 1990, duke shtuar edhe një çudi tjetër në Shqipërinë e vogël komuniste
Kishte 6 vjet që feja ishte ndaluar në Shqipëri, kur në Shkodër, në qershor 1973, u hap Muzeu Ateist. Nuk ishte as i pari, as i vetmi në botë, por me siguri mbetet një ndër të paktët.
Shqipëria ishte nën ndikimin e plotë të Kinës në këtë periudhë dhe shumë nga masat që merreshin ishin një përkthim, shpesh i papërshtatur, i atyre të marra nga Mao Ce Duni, megjithatë muzetë e ateizmit, nuk ishin një shpikje kineze. Bolshevikët kishin nisur të hapnin muze ateizmi në ndërtesat me karakter fetar që në vitet e para pas marrjes së pushtetit. Disa dhjetëvjeçarë më vonë, kishte me qindra të tillë deri në skajet më të largëta të Bashkimit Sovjetik. Ata që u hapën në kryeqendra u bënë të vizituar nga turistët që mendonin se ishin para një muzeu unik. Ndoshta ndër më të vizituarit ishte “Muzeu i Historisë së Fesë dhe Ateizmit” në Leningradin e kohës i hapur në vitin 1932 në një nga katedralet më ikonike të qytetit, e ndërtuar në vitin 1811. Sot, ky ish-muze ateist bën pjesë në sitet e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s, bashkë me 3 të tjerë të këtij lloji, që të gjithë në ish-Bashkimin Sovjetik. Një ndodhet në Uzbekistan, një në Lituani dhe tjetri në Lviv të Ukrainës, në mjediset e ish-Kishës Domenikane, që e kishin shndërruar për disa vite në magazinë.
Edhe në Shqipëri, ndërtesat e kultit që nuk u shkatërruan ose nuk iu vu dryni, u kthyen në salla, magazina, qendra kulturore. Kështu kishte ndodhur edhe me katedralen e qytetit të Shkodrës që e kishin shndërruar në pallat sporti. Aty do të zhvillohej Kongresi VII i Gruas dhe pikërisht në këtë kohë, më 9 qershor të vitit 1973, u vendos që të hapej “Muzeu Ateist”. Në Shkodër, më 10 korrik 1968, ishte hapur një ekspozitë me titull “Mbi rolin reaksionar të fesë”, e cila ishte menduar edhe si ekspozitë shëtitëse. Pasi kishte qëndruar e hapur për pesë vjet, ajo u shndërrua në muze ateist.
Studiuesi Pjerin Mirdita shkruan se hapësira ekspozuese e muzeut ishte e ndarë në të dy katet e godinës. Në katin e parë ishin vendosur dy pavijone që kishin të bënin me “traditën e popullit shqiptar në luftën kundër fesë dhe klerit” dhe me “lëvizjen revolucionare popullore të vitit 1967 kundër fesë dhe bazës së saj materiale”. Në katin e dytë, ndodheshin tri pavijone të tjerë që përpiqeshin të vërtetonin “karakterin anti-shkencor dhe reaksionar të fesë”, ta përshkruanin atë si “vegël politike të klasave sunduese dhe pushtuese” dhe si përfundim, të paraqisnin “dështimin e veprimtarisë së klerit pas pushtimit të vendit”. Në stenda ishin ekspozuar dokumente, foto, materiale që synonin të “vërtetonin” gjithçka thoshte regjimi komunist për fenë.
Por sigurisht gjithçka servirej në formë të tillë për t’i shërbyer propagandës komuniste dhe pavarësisht që ishte një muze, autenticiteti apo vërtetësia nuk ishin kriter.
Hasan Bello shkruan se në një fotografi të këtij muzeu paraqitej papa Gjon Pali XXII duke kërcyer tuist me Hrushovin. “Ajo kishte si qëllim të argëtonte vizitorët dhe të demaskonte armiqtë e socializmit. Por në fakt nuk ishte gjë tjetër veçse një fotomontazh, pasi papa jo vetëm që nuk e kishte fizikun për të kërcyer tuist, por ajo që ishte edhe më e rëndësishme, protagonistët që paraqiteshin duke kërcyer nuk ishin takuar kurrë”, sqaron Bello.
Muzeu vizitohej nga nxënësit e shkollave, kolektiva punonjësish, por edhe turistë të huaj, apo anëtarë të partive komuniste nga vende të tjera. Në një punim për Muzeun Ateist të Shkodrës, i cili funksionoi për më shumë se 18 vjet, Ermela Broci shkruan se ky muze u vizitua nga 560 grupe të huaja dhe 2500 vizitorë.
Muzeu Ateist qëndroi i hapur deri më 13 dhjetor ’90, kur ndërtesa u sulmua nga protestuesit antikomunistë duke i dhënë fund një prej veçantive të mbrapshta të Shqipërisë komuniste.
/kujto.al/