Deputeti demokrat, Ervin Salianji shprehet se të gjithë ata që po luftojnë këto ditë brenda PD-së për interesa personale janë turpi i opozitës.

Në një deklaratë para Parlamentit, ai tha se të gjithë drejtuesit e PD-së duhet të mbajnë përgjegjësi për rezultatin e arritur.

“Secili prej funksionarëve të lartë të PD-së është përgjegjës deri në një, secili prej demokratëve që ka sakrifikuar, sakrifikon, që përplaset, që dhunohet, që mban në kurrizin e vet gjithë represionin e shtetit, janë heronj të këtyre zgjedhjeve. Të gjithë ne të tjerët që luftojmë për funksione personale, jemi turpi i opozitës. Të gjithë deputetët e opozitës duhet të mblidhen dhe të gjejnë zgjidhje. Demokratët janë heronj që përballen me regjimin. Nëse nuk ka interesa të përbashkëta me demokratët e bazës, nëse nuk kanë më interes që opozita të fitojë, por që Rama duhet të forcohet akoma më shumë, opozita duhet të bëjë një organizim të ri. Ka të rinj, ka njerëz në shoqëri pafund”, tha Salianji.

Sipas tij “Shoh një skemë që fraksioni i vulës ka një përpjekje tjetër për tu fragmentarizuar akoma më shumë dhe do të fragmentarizohet sepse secili ka ambicie. Nuk kanë interes për demokratët, nuk kanë interes për të krijuar një opozitë reale, kanë interes për të marrë ndonjë pozicion. Brenda ditës do ta kuptoni që secili ka interes për tu bërë kryetarë, njëri të marrë rrogë në parti, njëri të marrë rrogë në Parlament, ndërkohë që nuk punon asnjëri”.