Të dashur bashkëqytetarë të Shkodrës,

Të nderuar kolegë këshilltarë,

Të nderuar drejtues të bashkisë Shkodër dhe punonjës të administratës,

Të nderuar të pranishëm,

Miq të medias,

Sot është mbledhja e fundit e këtij këshillit bashkiak. Sot mbyllet një mision fisnik dhe jo i lehtë 4- vjeçar në një situate atipike për politikën shqiptare dhe jo vetëm. Mbyllim sot, të gjithë bashkë, një mandat që s’ka qenë i lehtë për tu moderuar as brenda forcës tonë politike e sigurisht s’ ka qenë i lehtë të gërshetohej dhe alternohej me administratën. Natyrisht s’ ka qenë e lehtë edhe të pranohej, të përshtatej edhe me mentalitetin e qytetarëve të bashkisë së madhe Shkodër.

Të nderuar qytetar,

E mbaj mend shumë mirë fjalim tim të parë si kryetare e Këshillit Bashkiak dhe sigurisht edhe të gjitha daljet e tjera publike në vazhdimësi. Ajo, të cilën i kam mëshuar fort ka qenë fakti që megjithëse jam një kryetare e dalë vetëm nga votat e së majtës dhe jo nga votat e të djathtëve, për të cilën vendimin politik për tu përjashtuar e kanë marre kokat pa e konsultuar me qytetarët, do jem përfaqesuese e bashkisë së Shkodrës. Do jem dhe do jeni përfaqësues të qytetareve të majtë dhe të djathtë dhe prioritet do kem dhe do kemi interesat më të larta të qytetareve.

I kemi dhënë disa modele te mira qeverisje vendore duke ndërmarrë nisma dhe vendimarrje që shpesh kanë hasur ne rezistencë të administratës por asnjëherë nuk janë reklamuar si “bërje politike” karshi qytetarëve, përkundrazi për qytetaret ka qenë një vendimarrje teknike.

Po i listoj shkurtimisht, përmbledhtas në vijim:

[ ] Kemi kthyer shërbimin social Bashkisë Shkodër duke siguruar një përfshirje më të madhe të grupeve të interesit në Komisionin e Strehimit Social.

[ ] I hapëm rrugën bashkëfinancimeve nga qeverisja qendrore me vlerë 80% të banesave sociale. Shkolla Veterinare e cila sot po kthehet në një qendër komunitare multifunksionale që i ofron të gjitha shërbimet qytetarëve.

[ ] I hapëm udhën financimit të banesave sociale për komunitetin rom duke i dhënë shansin dhe mundësinë e të jetuarit në kushte të barabarta duke i dhënë akses edhe në zyrat e punësimit në mënyrë që të integroheshin me lehtësisht në shoqëri.

[ ] Siguruam ofrimin e programeve të ndryshme të strehimit social, kredi të buta, banesa sociale me qera etj.

[ ] Ishim i vetmi dhe i pari këshill bashkiak që qëndroi konseguent në lidhje me KF Vllaznia sh.a.duke e thënë dhe duke e mbajtur fjalën për privatizimin e tij, duke e hequr Vllazninë nga menaxhimi militantesk, duke e lehtësuar arken e bashkisë nga një barrë e madhe, e cila për shkak të ndjeshmërisë qytetare, ia merrte frymën me financim nga taksapaguesit shkodran dhe mbi të gjitha, duke realizuar një dëshirë dhe vullnet të qytetarëve të Shkodres.

[ ] Jemi i vetni këshill bashkiak në Shqipëri që ka të ngritur një çeshtje gjygjësore kundrejt administratës për çeshtjen e administrimit me 2 standarte tç klubit Vllaznia. Nivel i lartë i demokracisë do ta quaja unë.

[ ] Arritëm pas shumë përpjekjesh dhe barrierash të siguronim mësuesit mbështetës për femijët që frekuentonin arsimin parashkollor.

[ ] Arritëm të siguronim lehtësi fiskale për target grupe të dizavantazhuara.

[ ] Arritëm të vendosnim një komunikim qytetar në konsultimet publike dhe i ofruar qytetarëve mundesinë e të qënurit palë e vendimmarrjes pa i parë fare ngjyrimet politike.

[ ] Arritëm të listonim në buxhet nisma të vetë këshillit bashkiak

Të nderuar kolegë,

Pandemia nuk ishte një situatë e lehtë për tu menaxhuar në lidhje me vendimmarrjet e këshillit, por falë bashkëpunimit dhe vullnetit të mirë të secilit nga ju, arritëm të siguronim transparencë maksimale për qytetarët duke i dhënë mundësinë jo vetëm për të ndjekë mbledhjet e këshillit online edhe në kohë reale por edhe për të qenë ndërveprues dhe bashkëpunues me këshillin edhe në lidhje me ngritjen e problematikave si dhe dhënien e zgjidhjeve në kohë reale.

Menduam për qytetarët me nisma përbashkuese me njëri- tjetrin apo edhe organizata të ndryshme, menduam për qytetarët kur vendosëm në një kundërshti të plotë politike me administratën, të ndërmerrnim lehtësi fiskale.

Të nderuar qytetarë,

Të nderuar kolegë,

Ky këshill bashkiak tregoi më së miri se si një institucion di të vendosë perparësi, ti ndjekë ato me rigorozitet, ti vërë në zbatim politikat e majta me një administratë të djathte dhe veçanërisht ka arritur të tregojë që nuk pranon të përdoret politikisht dhe të jetë vegël apo mashë, me të cilën individë të caktuar të finalizojnë qëllime të caktuara.

Nuk patëm aspak një mision të lehtë, të ishim organi vendimmarrës i një politike të majtë ne një qytet të konsideruar bastion të së djathtës në Shkodër. Nuk ishte mision i lehte të ishim i vetmi keshill i majtë në historinë 29 vjeçare deri në 2019, të qeverisjes vendore të Shkodrës.

Por u’a garantoj se do të mbahemi mend gjatë, si i pari këshill i majtë që nuk i dha politikës shansin e të luajturit politikë me një qytet dhe qytetarët e tij.

Të nderuar bashkëqytetar,

Sigurisht në këtë mandat 4- vjeçar nuk kemi arritur të realizonim shumë e shumë nisma e vendimmarrje por ajo çka arritëm të realizonim, ishte vendosja e një standardi, rregullimi të funksionimit të keshillit si institucion, me veten, administratën dhe të tretët.

Të nderuar të pranishëm,

Unë dhe shumë kolegë të mi, i jemi falenderues forcës politike për besimin e dhënë dhe gjykoj se shpërblimi më i mirë ka qenë ai që ky këshill tregoi, se Partia Socialiste nuk e përdor kurrë forcën e kartonit për të bërër politikë, përkundrazi, politikën e kthen në shërbim të nevojave të qytetarëve, me vullnetin e mirë me i tregu të gjithëve, se në fund të ditës, ky qytet, kjo bashki, është e të gjithëve. I të majtëve dhe të djathtëve, i socialistëve, demokratëve por edhe apolitikëve komplet.

Ajo çka më vjen keq, është fakti që edhe në politikë, si në disa sfera dhe veçanërisht në politikën vendore, nuk ia dolëm të sigurojmë një përfaqësim me rritje organike, promovuese apo mbështetëse të sistemit të vlerave. Treguam edhe një herë se në këtë aspekt, kemi shumë për të ndryshuar për politkën tonë të brendshme. Demokracia e brendshme duhet të fillojë te forca politike dhe se ne duhet të jemi ato që këtë sistem ta afrojmë me demokratizimin e brendshëm.

Të nderuar përfaqesues të medias apo siç unë ju quaj, bashkëpunetorët tanë më të mirë,

Nuk ka qenë i lehtë edhe rrugëtimi me ju. Ju, ato mosbesuesit me syrin dyshues që shpesh na vendosët në qendër të uraganit, duke na shenjestruar për qendrimet, fjalimet apo vendimmarrjen, ju faleminderit. Ju faleminderit për durimin dhe konsistencën e orientimit të qendrimit.

Te nderuar miq,

U përpoqëm të jemi transparentë, bashkëpunues dhe të tregonim që e kemi derën e hapur për komunikim dhe informim qytetar.

Unë ndjehem shumë e nderuar që pata fatin të isha e para grua dhe përfaqësuese e Partisë Socialiste në krye të keshillit bashkiak të Shkodrës. Ndjehem e nderuar për besimin që Partia Socialiste me dha, ndjehem e nderuar për besimin që ju kolegët e mi më dhatë. Ndjehem e nderuar që pata mundësinë të tregoj që një grua në krye të këshillit, është përfaqësuese e denjë dhe drejtuese korrekte për ju dhe qytetarët e Shkodrës. Dëshiroj dhe shpresoj fort të kem qenë dhe te kemi qenë model i mirë për tu ndjekë nga çdo përfaqësues i majtë apo i djthtë qofte ai, nga vajza dhe djem të rinj që aspirojnë të merren me politikë.

Ju faleminderit të gjithëve për debatet, diskutimet, divergjencat dhe dakordësimet dhe veçanërisht faleminderit të gjithëve për bashkëpunimin që kemi patur. Për mua ishte nder të përfaqesoja qytetarinë, Partinë Socialiste dhe ju në këtë mandat 4- vjeçar.

Faleminderit.

Kam vetëm një mesazh për këshillin bashkiak që do na pasojë, paçi sy, mend, durim dhe vullnet për tu shërbyer qytetarëve. Vetëm atëhere ky qytet dhe kjo bashki do të ecë përpara, s’ kanë me e nëpërkëmbë e shkel në asnjë kohë forcat politike dhe drejtuesit e tyre, në asnjë nivel, por do i japim nderin dhe atë që i takon kryeqendrës së Veriut në çdo fushë e çdo aspekt.

Ju faleminderit nga zemra të gjithëve!