Kjo ishte dhurata më e bukur në sytë e mi, e mundësuar falë nismës së nisur disa muaj më parë nga Marjana dhe unë për t’i ardhur në ndihmë nxënësve të kësaj shkolle.

Po çfarë duhet një piano në një shkollë që s’ka lidhje me profilin muzikor?- mund të pyesë dikush????????
Nuk mundet kurrsesi të jetë vetëm një dekor për të kënaqur syrin. Pianoja mund të shërbejë në formimin kulturor të nxënësve, për t’i nxitur këta të fundit të njihen dhe të edukohen me kulturën muzikore klasike e pse jo edhe të mësojnë të luajnë në piano qoftë edhe vetëm për kënaqësinë e tyre. Shumë fëmijë kanë dëshirë të mësojnë një instrument muzikor, sidomos pianon. Ndoshta për disa është thjesht një tekë e moshës, për disa të tjerë ndoshta pasion dhe dëshirë për të pasuruar formimin kulturor në një dimension më të gjerë edhe praktik etj.

A duhet t’i krijohen fëmijëve mundësitë që të realizojnë pasionet e dëshirat e tyre? Kjo piano mund të jetë një mënyrë e mirë për nxënësit jo vetëm të kësaj shkolle por të gjithë ata fëmijë të kësaj lagje e përtej saj që të largohen nga rruga e të kenë mundësinë e një aktiviteti pasdite. Shumë thjesht mund të realizohen projekte nga Bashkia në mënyrë që fëmijëve të moshave të ndryshme që kanë pasion muzikën t’i mundësohen kurse falas pianoje (meqë profesionistë dhe mësues të pianos Shkodra ka plot).

Nuk është e thënë se të gjithë ata fëmijë do prekin skenat botërore apo do e shohin si të ardhmen e tyre. Jo…Pianoja apo çdo instrument tjetër muzikor është një vlerë e shtuar në formimin e një fëmije duke e bërë atë një person më të mirë, më të pasur shpirtërisht, më të lumtur, më vizionar. Të investosh në kulturën muzikore do të thotë të investosh në një qytetar më të formuar dhe të kulturuar nesër.
Dhe ky do të jetë një mision personal I imi për të gjithë fëmijët e komunitetit të kësaj zone. Kjo është një sfidë e cila mund të realizohet kur vullneti ekziston.

Falenderoj nga zemra Aurel Musraj, I cili është gjendur pranë nesh në misionin tonë duke ofruar bashkëpunim dhe ndihmën e Tij shumë të çmuar, shqiptarin zemërbardhë në Amerikë Bashkim BL I cili gjithashtu ndihmoi në ardhjen e kësaj pianoje si dhuratë për shkollën dhe nxënësit e shkollës. Falenderoj agjensinë “Transport Apollonia LTD” nga Fieri që bëri të mundur transportimin e pianos nga Anglia.
Ndjehem e lumtur dhe e përmbushur…E lumtur sepse shqiptarët për njëri tjetrin janë gjithmonë pranë pavarësisht distancave dhe e përmbushur sepse nisma jonë (Marjanës dhe imja) kaloi përmasat e asaj që kishim menduar!

Faleminderit edhe njëherë dhe misioni vazhdon, s’mbaron këtu????…