-Reagon Partia Socialiste në lidhje me atentatin ndaj kreut të PD-së, në Vaun e Dejës, Benard Ndrecës. Ishte drejtuesja politike e qarkut të Shkodrës për Partinë Socialiste Elisa Spiropali, ajo e cila përmes një mesazhi në rrjetet sociale, kërkon që të organet ligjzbatuese të zbardhin menjëherë këtë akt kriminal.

Spiropali nuk la pa përmendur edhe reagimin e Berishës dhe Zef Hilës, duke shtuar se ato nuk pritën rezultatet por lëshuan akuza kriminale ndaj kundërshtarëve.

REAGIMI:

I kërkoj organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht aktin kriminal të vendosjes së tritolit në makinën e Z.Ndreca, në Vaun e Dejës. Përgjegjësit duhet të marrin dënimin e merituar. Ky është akti i dytë kriminal në pak muaj në këtë zonë, pas vendosjes së tritolit jashtë zyrave të OSHEE në Bushat. Është për të ardhur keq që haxhiqamilisti i Vaut të Dejës, Zef Hila, bashkë me atë të Foltores me qera te Partia e Lirisë, Sali Berisha, nuk presin rezultatet e hetimit, por lëshojnë akuza kriminale ndaj kundërshtarit për të rritur kapitalin politik që tashmë u ka shterrur.
Janë të njëjtët njerëz që në 2019-ën në një akt barbar të pashembullt i vunë zjarrin shkollës në Bushat dhe dogjën materialet zgjedhore.

Për veprimin e tyre kriminal Zef Hila u shkarkua nga kryetar bashkie dhe zjarrëvënësit e tjerë u arrestuan. Fatkeqësisht, drejtësi për aktin nuk u bë. Dosja u mbyll. E inkurajoj policinë dhe prokurorinë të mos stepen nga sulmet politike, por të bëjnë detyrën deri në zbardhjen e hollësishme të aktit të sotëm dhe vendosjen para drejtësisë të përgjegjësve.

Sali Berisha bëri përgjegjës për këtë atentat kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Bledi Çuçi.

Atentati me tritol ndodhi mëngjesin e sotëm në Vaun e Dejës. Objektiv ishte kreu i degës së PD-së Benard Ndreca i cili sapo kishte hipur në mjet dhe ndodhej me nënën e tij. Si pasojë e shpërthimit, nuk ka pasur të lënduar, vetëm dëme materiale çka lë të kuptohet se sasia e tritolit ka qenë e vogël.