Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas sulmit me tritol që i ndodhi mëngjesin e sotëm kreut të degës së PD-së, në Vaun e Dejës, Benard Ndrecës. Meta e quan sulmin një akt terrorist, i cili provokoi Ndrecën dhe familjen e tij. Po ashtu, Meta thekson se asnjë sulm i tillë nuk do frikësojë opozitën, e cila sipas tij do dalë e fituar në zgjedhje.

REAGIMI:

Solidaritetin më të fuqishëm me Bernard Ndrecën, Kryetarin e PD në Bashkinë e Vaut të Dejës për aktin terrorist me të cilin u provokua sot së bashku me familjen e tij. Një regjim i pashpresë për t’u ballafaquar me qytetarët, që vetëm i ka mashtruar dhe vjedhur, inskenon akte të tilla cubash të pabesë me qëllim frikësimin e opozitarëve.

Asgjë nuk e ndal Opozitën e Bashkuar me të gjthë qytetarët e ndershëm për të ndëshkuar regjimin e bandave më 14 Maj! Asgjë nuk e ndal Fitoren e Zef Hilës në Bashkinë e Vaut të Dejës dhe Fitoren 5 me 0 në të gjithë Qarkun e Shkodrës! #BashkeFitojme #14Maj #NdryshimMeCdoCmim.