Një sërë profesionesh do të përfitojnë nga rritja e pagave. Pas mbledhjes së qeverisë, Kryeministri Edi Rama komunikoi se cilat profesione do preken, duke theksuar se kjo reformë do zhvillohet në dy hapa. Sipas tij, faza e parë është tani me rritjen e pagave për mësuesit, punonjësit në sektorin e sigurisë, mjekët dhe infermierët thotë kreu i qeverisë, ndërsa pjesa tjetër do paguhen Prillin e ardhshëm.

Kategoritë që preken:

-Specialistët që punojnë në administratën qëndrore – 49 mijë lekë në 81 mijë lekë.

-Mësuesit në arsimin e mesëm – shkon mbi 100 mijë lekë

-Mësuesit në arsimin bazë -nga 74 mijë në 95 mijë

-Pedagogët- rritje me 20%

-Infermierët- përtej 90 mijë lekëshit

-Forcat e Armatosura/Zjarrëfikësit

“Nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sa t’ju them specialistëve më të ulët që punojnë në administratën qëndrore se paga e tyre do të shkojë nga 49 mijë lekë në 81 mijë lekë. Apo t’u them mësuesve në arsimin e mesëm se paga e tyre do shkojë mbi 100 mijë lekë, apo në arsimin bazë nga 74 mijë në 95 mijë. Këto janë shifra bazë pastaj kohëzgjatja në detyrë, vjetërsia e punës dhe nivelet e kualifikimeve bëjnë që gjërat të jenë dhe më mirë se sa ç’duhej nga niveli bazë.

Është koha për rritje të konsiderueshme të pagës së pedagogëve në universitete me 20% duke u dhënë diskrecion që të shkojnë në 30%. Po kështu është kënaqësi e posaçme që t’ju them sot infermierëve që do kapin një bazë prej 87 mijë lekësh dhe ndërkohë kjo bazë sipas pozicioneve në punë shkon dhe përtej 90 mijë lekësh. Në mënyrë të ndjeshme kemi rritur pagat për Forcat e Armatosura dhe për gjithë sistemin e sigurisë dhe do vazhdojmë t’i rrisim. Kemi rritur pagat për zjarrëfikësit të cilët janë shumë të rëndësishëm për shoqërinë duke qenë se zjarret janë gjithmonë e më të pranishme për shkak të ndryshimeve klimatike, kemi rritur pagën e zjarrfikësve dhe dhe do e çojmë deri në 80 mijë lekë.

E gjitha kjo do bëhet në dy hapa. Hapi i parë do jetë tani me mësuesit, sigurinë, mjekët dhe infermierët menjëherë dhe ky hap i parë do të jetë për gjithë të tjerët pasi Parlamenti të kalojë projektligjin që ne sot miratuam dhe pastaj hapi i dytë do jetë Prillin e ardhshëm kur do bëjmë gjithë plotësimin e kuadrit të kësaj reforme pagash në Republikën e Shqipërisë dhe do mbërrijmë kryelartë 900 euro pagë mesatare”, deklaroi Rama.