Gjatë një takimi me mbështetës në Malësinë e Madhe, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh i bindur për një fitore 5 me 0 në të gjitha bashkitë e Shkodrës ku votohet në zgjedhjet vendore të 14 majit. Ai u shpreh se qarku i Shkodrës është një ndër më të diskriminuarit nga qeveria që sipas tij nuk ka asnjë propozim për zhvillimin e rajonit.
“Nuk është rastësi kjo situatë sot, që njerëzit të largohen. Padre Pllumbi më thoshte; jemi popull blegtor. Do dalim 5-0 në qarkun e Shkodrës. Në qarkun ndoshta më të diskriminuar nga kjo qeveri. Po flasim për Shkodrën, dhe se si mund t’i hiqet drejtoria e Arsimit? Kjo gjë nuk është rastësi, është bërë enkas për t’i ulur peshën e rëndësinë. Por Shkodra si qark do jetë në krye të rezultateve. Ju e shihni panikun e tyre. Ata nuk kanë asnjë propozim. E vetmja gjë që iu ka ngelur është presioni i njerëzve”-tha Meta.