Dalin pamjet e para të përplasjes së Sali Rexhës dhe Armand Gosës, të cilët vranë njëri-tjetrin disa ditë më parë në qendër të qytetit të Kavajës. Gazetarja Klodiana Lala ka nxjerrë pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, ku ora shënon 18.32, duken dy viktimat Sali Rexha dhe Armand Gosa duke debatuar me njëri-tjetrin. Sali Rexha, i njohur edhe me emrin Altin Rexha, po ecte me vajzën e tij për dore kur pranë tij kalon me biçikletë, Armand alias Edmond Gosa.

Sapo shohin njëri-tjetrin, ata ndalohen dhe fillojnë të debatojnë. Nga dëshmitarët e ngjarjes, mësohet se sherri ka nisur me “çfarë ke që me sheh?”. Siç rezulton nga pamjet, qytetarë të rastit ndërhyjnë për t’i ndarë, por pavarësisht kësaj, fillimisht për të ndaluar Gosën që po qëllonte 43-vjeçarin me thikë. Por në një moment tjetër, Sali Rexha nxjerr nga brezi armën pistoletë dhe e mbush.

Referuar dosjes hetimore, rezulton se Edmond Gosa e ka ndjekur më pas me biçikletë Rexhën. E sipas dinamikës, të dy ritakohen dhe është Sali Rexha, ai që qëllon mbi Gosën, teksa është rrezikuar edhe jeta e fëmijës së mitur. Gosa u plagos me 4 plumba. Por edhe pse i plagosur, ai nxori thikën dhe goditi 11 herë Sali Rexhën. Të dy u dërguan në spital, por fatkeqësisht ndërruan jetë.