Të dashur demokrate dhe demokratë të Vaut të Dejës, vëllezër e motra, zonja e zotërinj, një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme ndaj jush, për mbështetjen e e jashtëzakonshme që keni dëshmuar në 32 vite ndaj PD.

Ne ju jemi dhe do të ju jemi gjithmonë mirënjohës dhe borxhli ndaj jush.
Ndaj dhe çdo udhëtim drejt Vaut të Dejës, për ne është udhëtim drejt fitores.

Të dashur të pranishëm, ne jemi mbledhur këtu në një hark kohor të shkurtër, për të paraqitur tek ju kandidatin e koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’ zotin Zef Hila për kryetar bashkie të Vaut të Dejës.
Vij këtu me bindjen më të madhe se, Zef Hila, është njëri nga drejtuesit, njëri nga qeveritarët vendorë dhe menaxherët më të shkëlqyer të PD-së, në qarkun e Shkodrës dhe në mbarë Shqipërinë.

Zef Hila është një drejtues, menaxher, i cili në të gjithë karrierën e tij, ka lënë gjurmët më të thella të ndryshimi dhe zhvillimit. Ai ka ditur të vendosë lidhjet më të mira me grupet donatore dhe të shumëfishojë investimet në këtë bashki edhe në kushtet më të vështira. Por nga ana tjetër, Zef Hila ka përdorur me transparencë të madhe çdo qindarkë të taksave tuaja.
Në parlamentin shqiptar, ai për kohën që qëndroi ishte njëri nga zërat më vokalë, më të fuqishëm, një nga avoketërit më të vendosur të interesave të qytetarëve, të fermerëve të Vaut të Dejës dhe Shqipërisë. Në një akt përgjegjësie ndaj jush, dashurie dhe respekti, Zef Hila vendos të dorëzojë mandatin dhe të rikthehet tek ju pasi në një proces që ndodhte për herë të parë pas 32 vitesh, primare, ju e votuat atë për kandidat për qytetar të parë të bashkisë tuaj.

Ju garantoj se Zef Hila kësaj radhe, si kandidat i lirisë, si një njeri që i afirmuar besimin e plotë, do e justifikojë dhe shndërrojë atë me përkushtim të madh me shërbime ndaj jush. Do të bëjë gjithçka për ndryshimin rrënjësor të gjendjes në këtë bashki, të gjendjes së banorëve të kësaj bashkie, e cila ka potenciale të jashtëzakonshme, e cila me një miradministrim mund të ndryshojë me shpejtësi gjendjen e banorëve të saj.

Me potencialet e mëdha që ka, të biznesit, të bujqësisë, të turizmit, Vau i Dejës, mund të shndërrohet dhe jam i sigurtë se do të shndërrohet nën drejtimin e Zef Hilës, në një bashkitë më të zhvilluara të vendit.