Shërbimet e Policisë Rrugore, gjatë monitorimit të akseve rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, në aksin rrugor Shkodër-Vau i Dejës, kanë konstatuar një shtetas që drejtonte automjetin në mënyrë të parregullt.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të automjetit tip “Benz”, shtetasit Gj. B., dhe i kanë komunikuar se do të kryente testin e alkoolit. Për të shmangur testin e alkoolit, ky shtetas iu ka ofruar punonjësve të Policisë, një kartëmonedhë të prerjes 2000 lekë. Pas kryerjes së testit të alkoolit, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit ishte në gjendje të dehur. Në përfundim të veprimeve është arrestuar në flagrancë shtetasi Gj. B., 49 vjeç, banues në Vaun e Dejës, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.