Teatri “Migjeni” pati premierën e parë të vitit me një shfaqje komedi dhe këtë privilegj e kishte trupa e estradës së këtij teatri ndërkohë që salla ishte e mbushur plot me spektatorët që shijuan humorin e mjeshtrave të mëdhenj si Zyliha Miloti, Besnik Çinari, Drande Xhaj dhe interpretimet e gjalla dhe me plot momente gazmore të aktorëve të rinj të talentuar.
Komedia “Big Brother Vip Shkodra” 2 erdhi këtë vit nga Arian Çuliqi që përgatiti regjinë dhe shkroi skenarin ndërsa siç u shpreh për mediat pas shfaqjes kishte vite që e kishte ideuar në formën që erdhi para publikut.Për mjeshtren e madhe Zyliha Miloti dhe aktorin e ri Fritz Selmani shfaqja pati bukurinë e vet edhe në sajë të gërshetimit të elementëve të rinj me ata të përvojës, kjo për meritë të regjisorit Arian Çuliqi.Drejtuesja e teatrit “Migjeni” Rita Gjeka u fokusua në elementin e ri që sipas saj ka potencialin e nevojshëm për të vazhduar në rrugën e aktorëve të përvojës.Komedia “Big Brother Vip Shkodra” 2 do të shfaqet disa netë radhazi për publikun shkodran në teatrin “Migjeni”.