Takimi që uli siparin e dueleve të çerekfinaleve ishte ai që u luajt në kryeqytet, midis Partizanit dhe Vllaznisë. Shkodranët erdhën në takimin që u luajt në Stadiumin e Kompleksit të ri të kuqve në kryeqytet duke synuar mbrojtjen e epërsisë dygolëshe që u jepte fitorja 3-1 që kishin arritur në ndeshjen e parë në fushën e tyre. Pjesa e parë e sfidës së të mërkurës ka folur për Partizanin, që ndërton dhe shpërdoron raste për shënim, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës.
Por, në minutën e 25-të, të kuqtë e trajnerit Xhovani Kolela do të marrin ndihmë edhe nga fati, sepse, pas një harkimi nga e djathta, portieri Qarri dhe mbrojtësi Gurishta nuk merren vesh dhe Mensah përfiton duke çuar topin në portën e boshatisur të Vllaznisë. 10 minuta më vonë Mensah ka sërish mundësi të shënojë por ndalet nga shtylla dhe pjesa e parë mbyllet kështu me epërsinë minimale të kryeqytetasve.
Pjesa e dytë ka parë një lojë të luftuar nga ana e të dyja skuadrave, në kërkim të golit që do të ndryshonte shumëçka sa i përket rrjedhës së takimit. Por sa për meritë të portierëve përkatës dhe sa për saktësi në finalizim, goli nuk ka ardhur. Edhe kur ka ardhur, siç ka ndodhur 3 minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Cara ka gjetur rrugën e rrjetës për Partizanin, ka ndërhyrë Sistemi i Ndihmësgjytarit të Videos (VAR), duke e anuluar atë.
Mbyllet kështu me fitoren minimale të Partizanit kjo ndeshje e kthimit e çerekfinaleve, por është Vllaznia që kualifikohet për më tej në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë
Comments are closed.