Për pak ditë festojmë 8 Marsin. Në ditën e parë të marsit në Tiranë vdiqën 3 gra dhe ndërkohë luftojnë për jetën dy të tjera. Një burrë 40-vjeçar, që hynte e dilte nga burgu, qëlloi mbi 5 gra. Njëra prej të cilave po lufton për jetën është nëna e fëmijëve të tij. I njëjti njeri në 2007-ën ka vrarë gruan e parë duke e qëlluar me thikë në zemër. Është futur në burg dhe ka dalë nga burgu, ka gjetur një grua tjetër. Pra për burra që vrasin gruan, paska gra akoma. Paska gra që duan t’i martojnë, t’i shtojnë, të bëjnë fëmijë me ta, të qëndrojnë me ta, që besojnë tek ata.
Ta quaj naivitet? Nuk e di çfarë emri t’i vë. Por është faj. Dhe ka pasoja. Më vjen keq për gruan mbi të cilën qëlloi burri i saj, por më keq më vjen për motrën e saj që vdiq. Vdiq se motra i solli në familje një psikopat, një mostër. Po ashtu dhe nusja e vëllait të saj. Çfarë faji kishte ajo e mjere qe vdiq sot, pa u bere dot nene?
Në këto anë, gratë po dashurohen shumë shpesh me kriminelët, me krimin, me drogën, me të fortin, me të ligun. Epo kur ushqehesh me Big Brother nuk do këndosh Traviaten. Ushqimi që hamë është mizerje dhe këtë mizerje do prodhojë. Drejtësia në këtë vend nuk është drejtësi. Pse është i lirë ky njeri? Vrau gruan e parë me thike në zemër dhe del nga burgu??? Po këtu drejtësia vonon, kështu që mbase duhet ta shpejtojmë ne duke kthyer në qelinë bosh, njeriun që liroi këtë njeri, njeriun që paguhet të bëjë drejtësi dhe mbolli masakër me këtë vendim. Kush e liroi vrasësin serial ka vendin në burg!
Dy janë arsyet e para që analizon kur mëson për një masakër të tillë; drejtësinë e padrejte këtij vendi dhe mungesën e edukimit të vajzave të këtij vendi, që gjithmonë e më shumë i gjen si vitrinë dhe viktima të krimit. Vajza, mos e bëni këtë kurrë, vetëm vetë mund t’ia dilni! Vrasësi të vret, krimineli të bën kriminele, nuk të bëjnë të pasur, as të bukur, as të famshme.
E vetmja që ndryshon jetën tënde je ti, bëhu e zonja e vetes! Këtë ia kam thënë vetes gjithë jetën dhe ia them çdo vajze; bëhu e zonja e vetes!
Comments are closed.