Media zvicerane ’20 minuten’ i ka dedikuar një artikull operacionit ‘Fijet’ që çmontoi kamerat e krimit në Shqipëri. Në artikullin që ka për autor Rouven Felix shkruhet se janë hequr të paktën 500 kamera të instaluara nga grupet kriminale që vëzhgonin njëri-tjetrin dhe Policinë e Shtetit. Media zivcerane thekson se pika e nisjes për hetimin e policisë për këtë rast ka qenë edhe Shkodra, e cilësuar si pikë e nxehtë e krimit të organizuar.
Artikulli:
Në Shqipëri, kriminelët kanë instaluar rreth 500 kamera vëzhgimi për të spiunuar policinë dhe grupet rivale kriminale. Autoritetet shqiptare e hasën këtë gjatë një hetimi. Kamerat e vendosura nga individë apo grupe kriminale janë përdorur edhe për të marrë informacion për lëvizjen e forcave të policisë”, thuhet në një deklaratë. Rreth gjysma e kamerave të vëzhgimit të instaluara ilegalisht u gjetën në kryeqytet, Tiranë. Megjithatë, shumë kamera janë gjetur edhe në qytetin e Shkodrës.
Pika e nisjes për hetimin e policisë për këtë rast ka qenë Shkodra, e cilësuar si pikë e nxehtë e krimit të organizuar. Në mëngjesin e hershëm të 13 janarit 2023, disa lëndë plasëse shpërthyen në shtëpinë e shefit të policisë vendore Pëllumb Shpati. Në kuadër të hetimeve, policia ka hasur në kamerat e para të paligjshme.
Policia ka hequr menjëherë kamerat e vëzhgimit që ka gjetur. Megjithatë, bandat përgjegjëse shqiptare nuk u trembën nga kjo. Vetëm tre ditë më vonë, kamerat e vëzhgimit u gjetën sërish në të njëjtat vende; tetë ishin në vende publike, 13 ishin vendosur përgjatë një rruge. Sipas policisë, të gjitha kamerat e zbuluara ishin të lidhura me celularë. Megjithatë, hetuesit nuk ishin në gjendje të gjurmonin marrësit e lidhur. Deri më tani përgjegjësit nuk janë gjetur. Por gjithsesi nuk do të merrnin ndonjë dënim të ashpër me burg. Vendosja e kamerave të paligjshme të vëzhgimit është vepër penale, por dënohet vetëm me gjobë.
Deri më tani, operacioni “Fijet” për heqjen e kamerave të sigurisë të vendosura në mënyrë të paligjshme nga krimi është shtrirë në 12 qarqe ku janë hequr rreth 500 kamera. Operacioni nisi në Shkodër fillimisht dhe më pas u shtri në të gjithë vendin. Në Tiranë, Policia hoqi kamerat e sigurisë të emrave më të njohur të botës së krimit të cilët monitorojnë hyrjet dhe daljet në zonat e tyre për të parë nëse rrezikohen./Dosja.al
Comments are closed.