“Ishte një keqkuptim. Nuk ishte për mua. Ishte thjesht një keqkuptim”, kjo ka qenë dëshmia e 23-vjeçares greke që dyshohet se u bë shkak i vrasjes së shqiptarit Julian Kosova (Visar Dakramaj), i cili humbi jetën pasi u qëllua me armë nga një 33-vjeçar grek në ishullin e Mykonos.

Në media u shkruajt se gjithçka ndodhi për një vajzë. 23-vjeçarja ka dëshmuar të gjithë skenën edhe kur 33-vjeçari grek qëlloi mbi Kosovën. Ndërkaq e reja pretendon se e gjithë ngjarja ndodhi për shkak të një keqkuptimi.

Edhe pronari i lokalit ku ndodhi sherri ka dhënë dëshminë e tij. Sipas tij, vajza ka qenë vetëm në bar dhe më pas ka ardhur një prej djemve.

“Ajo nuk ishte në lidhje me asnjë prej tyre. Ata ishin klientë në lokal. Ata patën një debat në lokal dhe dolën jashtë për t’u sqaruar”, u shpreh ai.

Pasi ka kryer krimin, autori ka lëvizur për mbi 1 orë me armën në makinë. Ai ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Autoritetet pritet që të verifikojnë edhe nëse ka konsumuar drogë. Mediat sqarojnë se shqiptari jetonte prej vitesh në ishull. Ai njihej atje me emrin “Yannis”. 34-vjeçari kishte blerë një vilë në një prej zonave më të mira të Mykonosit.