Një tërmet i fuqishëm 7.9 ballë ka goditur kufirin mes Turqisë jugore dhe Sirisë duke shkaktuar më shumë se 800 viktima dhe mbi 3000 të plagosur. Lëkundjet që zgjatën më shumë se 2 minuta tronditën banorët pas orës 2 të mëngjesit të së hënës. Epiqendra ishte pranë qytetit të Gaziantep me thellësi rreth 7 km.
Në Turqi, zyrtarët konfirmuan 284 viktima dhe mbi 2300 të plagosur nga tronditjet në 10 qytete. 284 viktimat në Turqi raportohen nga Kahramanmaraş, Gaziantep, Şanlıurfa, Dijarbakır, Adana, Adiyaman dhe Malatya.
Në Siri janë konfirmuar 427 viktima dhe mbi 120 në zonat e vendit të kontrolluara nga kurdët. Vdekjet u raportuan në rajonet e Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus. Pas tërmetit kishte 8 paslëkundje të fuqishme. Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë nisur menjëherë punën për njerëzit e mbetur nën rrënoja. Deri tani nuk raportohen shqiptarë të lënduar.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shkruan se do ta kalojnë këtë fatkeqësi së bashku.
“Ne do ta kalojmë këtë fatkeqësi së bashku. Shpresojmë që së bashku ta kalojmë këtë fatkeqësi sa më shpejt dhe me sa më pak dëme”, tha ai.
Turqia nuk është e panjohur për tërmetet e forta. Shtatë tërmete me mbi 7 ballë kanë goditur vendin në 25 vitet e fundit por tronditjet e së hënës ishin më të fuqishmet. Gjithashtu është tërmeti më i fortë që ka goditur kudo në botë që nga një tërmet 8.1 ballë që goditi një rajon të largët pranë Ishujve ‘Sandwich’ në Oqeanin Atlantik jugor në 2021, duke mos rezultuar në dëme.
Comments are closed.