Një 42-vjeçar i identifikuar si Dëfrim Sina është arrestuar nga policia pasi po transportonte 16 emigrantë të paligjshëm. Në kërkim janë 2 bashkëpunëtorët e tij, Artan Gjyla, 48 vjeç dhe Rajdi Sina, 30 vjeç.
Në fshatin Vukpalaj, Kastrat, nga 3 automjete kanë zbritur 16 emigrantë të cilët po transportoheshin drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të BE-së. Sapo janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, 2 nga automjetet janë larguar me shpejtësi dhe drejtuesi i automjetit të tretë, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur t’u shmanget shërbimeve.
Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe në lagjen “Dobraç”, kanë bërë të mundur ndalimin e njërit prej automjeteve që transportonte emigrantë dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. S.
Vijon intensivisht puna, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve A. Gj. dhe R. S. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.