Mes kaosit në seancën e sotme në Kuvend mazhoranca votoi me 72 vota pro ligjin e ri për “Informacionin e Klasifikuar”, të propozuar nga qeveria. Ky ligj, që zëvendëson atë të vitit 1999, rregullon mënyrën se si trajtohet informacioni sekret në vend, kompetencat e institucioneve, kohëzgjatjen, mbrojtjen e tij etj.

Ligji heq edhe pengesën e fundit për hapjen e dosjeve të ish sigurimit të shtetit dhe është miratuar në komisionet parlamentare me konsensusin edhe të deputetëve të Partisë Demokratike. Së bashku me ligjin për hapjen e dosjeve, që hyri në fuqi dhjetorin e kaluar tashmë nuk ka më pengesa për të hapur dosjet e bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit.

Ligji sanksionon se dokumentet e ish – Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar 2 korrik 1991, konsiderohen të klasifikuar ex lege pra për shkak të ligjit. Si të tilla ato nuk kanë nevojë që t’i nënshtrohen shqyrtimit nga ana e një autoriteti, komisioni apo strukture tjetër shtetërore për të kryer deklasifikimin e tyre. Dispozita përjashton nga zbatimi i saj ato dokumente që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare dhe me sigurinë kombëtare të vendit.

Sa i përket pjesës anës tjetër të përgjithshme, ky ligj parashikon që të drejtën direkte për klasifikimin e një informacioni do ta ketë Kryeministri dhe Presidenti. Ndërsa institucionet e tjera këtë të drejtë do ta kenë vetëm me autorizim të kryeministrit. Një të drejtë të tillë e ka tërthorazi edhe çdo shtetas shqiptar, i cili kur vlerëson se një informacion i caktuar ka vlerat e nevojshme për t’u klasifikuar, mund t’i propozojë institucioneve që ta bëjnë një gjë të tillë. Autoritetet përgjegjëse vendosin brenda 10 ditësh nëse informacioni do të klasifikohet ose jo. Ligji i ri saktëson dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar që vjen nga BE apo NATO, 2 entitete partnere të vendit tonë.

Kujtojmë se më 12 dhjetor hyri në fuqi ligji që mundëson pas 32 vitesh hapjen e dosjeve të ish Sigurimit të Shtetit si dhe verifikimin e politikanëve, të cilët kanë marrë më parë certifikata të pastërtisë së figurës nga komisionet ‘Bezhani’ dhe ‘Mezini’.

Edhe ky ligj u miratua me konsensusin e PS-së dhe PD-së së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe i hapi rrugën Autoritetit të Dosjeve për zbatimin e parashikimeve të reja.

Me këtë ligj u hoq mburoja për politikanët dhe pushtetarët e vendosur në ligjin e vitit 2015, ku ndalohej me ligj verifikimi i tyre për lidhje me ish Sigurimin e Shtetit, nëse kishin marrë parë një certifikatë të pastërtisë së figurës nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Tashmë çdo kandidat për t’u zgjedhur deputet apo kryetar bashkie, do të verifikohet nëse ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, duke i bërë të pavlefshme certifikatat e pastërtisë së figurës të lëshuara nga komisionet Mezini dhe Bezhani. Heqja e kësaj mburoje u kërkuar nga vetë Autoriteti i Dosjeve, pas pretendimeve se Ilir Meta kishte qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit, por që ligji ndalonte një verifikim të plotë dhe shterues.