Dedë Nika, i riu i arrestuar nga Policia e Shkodrës si i dyshuari kryesor për vendosjen e tritolit në banesën e efektvit të Policisë së Shtetit, Prelë Milani 3 vite më parë, i mohon akuzat e ngritura ndaj tij. Në seancën për masën e sigurisë që u zhvillua një ditë më parë në Gjykatën e Shkodrës, 33-vjeçari deklaroi se nuk është ai autori i vendosjes së tritolit në banesën e efektivit Prelë Milani dhe të Kolë Bungajas, ngjarje që ndodhën brenda një natë më 4 janar të 2020. Madje, sipas gazetarit Senad Nikshiqi, nuk ka asnjë lidhje me atë rast.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me vendosjen e tritolit tek banesa e Prelë Milanit apo Kolë Bungajës. Nuk kam asnjë dijeni për ato ngjarje. Po ashtu unë nuk kam asnjë konflikt as me efektivin e policisë Prelë Milani dhe as me shtetasin tjetër Kolë Bungaja. Nuk i njoh asnjërin dhe as tjetrin dhe nuk e di përse jam këtu,”-u shpreh ai para trupës gjykuese.

Dedë Nika u arrestua më 29 janar të këtij nga policia vendore e Shkodrës në kuadër të operacionit të koduar “Mesazhi”, pasi dyshohet se ai ka vendosur tritolin në të dy rastet. Policia ra në gjurmëtr e tij, pasi për rreth një muaj e ka përgjuar në mjedise të ndryshme. Në përgjimet e kapura, i riu e ka lënë të kuptohet se është ai personi që ka kryer krimin, ndaj edhe akuzohet për veprat penale: “shkatërrimi i pronës me eksploziv” si dhe “mbajtja pa leje e armëve luftarake shpërthyese”, kryer në bashkëpunim.

Sipas dyshimeve të policisë vendosja e tritolit lidhet me parcelat e drogës të asgjesuara para 3 vitesh në zonën e Dukagjinit ku pjesë e disa operacioneve ka qenë edhe Prelë Milani, si efektiv policie në ato njësi. Pas tritolit në 2020-ën punonjësi i Policisë, Prelë Milani tha se nuk ka konflikte por dyshoi se ajo ngjarje ishte për shkak të detyrës duke dyshuar se lidhej me aksionet në parcelat e drogës.