Në Paçram të Bashkisë Vau Dejës ndodh çudia e radhës. Gjithçka lidhet me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që faturon çdo muaj konsum energjie në një shtëpi të rrënuar dhe braktisur.

Pashk Luka tregon se është larguar në emigrim në vitin 2014 dhe ka kërkuar nga OSHEE e Vaut të Dejës të heqin sahatin dhe të zgjidhin kontratën. Procedura nuk është kryer dhe çdo muaj qytetari është faturuar për konsum energjie.

“Prej 2014 nuk jeton rob këtu jam largu në Greqi, kam marrë elektrikun me heq sahatin më kanë thënë ti shko dhe sahati të rrijë aty. Kur vij shoh se më kishin vjedh sahatin”.

Ai ka konstatuar abuzimin në qershor të vitit 2022 kur është faturuar me plot 300 mijë lekë.

“Në qershor më kanë faturua 3 milionë lek ku i kanë marrë ato shifra se di?! I kam thënë drejtorit të OSHEE hajde shihe rrugën se ku ka shku linja elektrike. Kam bërë denoncimin në polici për sahatin dhe asgjë nuk është bërë. Nuk e di kush e ka vjedhur sahatin dhe kush e përdor energjinë”, thotë ai.

Pashk Luka thotë se ka bërë denoncim në polici për vjedhjen e sahatit, është ankuar në OSHEE dhe Entin Rregullator por prej 7 muajsh nuk ka marrë zgjidhje, ndaj i është drejtuar medias.

“U detyrova me ju marr ju. I kam bërë kërkesë dhe Entit Rregullator në Tiranë dhe s’më kanë gjetur zgjidhje, ndaj u detyrova me ju marr ju (median)”, vijon ai.