Adrian Haçkaj, drejtor kërkimi në Institutin për Kërkim dhe Zhvillim (ICD), lobuesi kryesor për pjesën shqiptare thotë se, me përfshirjen e Korridorit 8 në rrjetin TEN-T, për herë të parë infrastruktura e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor është pjesë integrale e korridoreve europiane dhe jo më si zgjatim.
Ai prezantoi për “Monitor” rëndësinë e këtij aksi në përmirësimin e infrastrukturës rrugore, portuale, hekurudhore dhe logjistike të vendit
Z.Haçkaj, Korridori 8 është bërë pjesë e rrjetit kryesor të transportit Europian (TEN-T). Cilat ishin rrethanat që e përfshinë këtë aks, i cili kalon në Shqipëri, në arteriet kryesore europiane rrugore?
Në dhjetor 2021, DG MOVE prezantoi një projekt harte për rishikimin e korridoreve transeuropiane siç është fiksuar në 2013 dhe përditësuar në 2016.
Në hartën e dhjetorit 2021, Korridori 8, segmenti nga Durrësi në Shkup, nuk figuronte (shiko hartën).
Duhet nënvizuar që mbështetja politike nga rajoni për përfshirjen e C8 në korridoret prioritare të BE-së ka qenë shumë e lartë.
Këtu mund të përmendim nismën 8 nga ministri Bujar Osmani në janar të vitit 2021, Memorandumin e Bashkëpunimit mes ministrave të Transportit të Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në tetor 2021; letrën e kryeministrit Rama drejtuar Komisioneres Valean në nëntor të 2021; etj.
Në kuadër të lobimit teknik dhe një debati gjithëpërfshirës mbi Korridorin 8, Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvillim që nga 2020 ka zhvilluar një seri hulumtimesh, fushata komunikimi, takime ekspertësh, takime me Komisionin Europian, me Ministrinë e Transportit në Romë dhe në Sofje, promovim në Tirana Connectivity Forum, etj.
Më 16 nëntor 2022, Konferenca e Rajoneve Periferike Detare (partner i CDI me qendër në Rennes, Francë) depozitoi një amendament në Parlamentin Europian ku kërkohej përfshirja e segmentit Durrës – Tiranë – Shkup – Sofje në hartën e projekteve prioritare.
Më 1 dhjetor 2022, Këshilli i Ministrave i BE-së publikoi hartën e re, ku Korridori 8 figuron i plotë (shiko deklaratën).
Cilat janë të dhënat teknike të projektit?
Përfshirja në hartën e projekteve prioritare siguron gjurmën e projektit në terren. Për t’u cilësuar si prioritar, korridori duhet të ketë karakter të dyfishtë, rrugë dhe hekurudhë.
Rruga (me parametrat e numrit të korsive, shpejtësinë, stacionet e furnizimit me energji të gjelbër, etj.) dhe hekurudhën (me shpejtësinë, peshën minimale të vagonëve, elektrifikimin, etj.) duhet të jenë sipas parametrave të korridoreve në BE.
Është kusht që korridori të përfundojë para vitit 2030, dhe jo më vonë se 2040. Miratimi i gjurmës mundëson fillimin e shpejtë të përgatitjes së projektit teknik për rrugën dhe hekurudhën, si dhe të financimit të tyre nga BE.
Çfarë përfiton Shqipëria?
Së pari, Shqipëria do të hyjë plotësisht në hartën e korridoreve të BE-së në aksin horizontal: në hartën e mëparshme, vendi ynë lidhej me akset e transportit të BE-së vetëm nëpërmjet korridorit 10.
Së dyti, Korridori 8 u jep përparësi nyjeve logjistike dhe zhvillimore të të gjithë pikave ku kalon. Në këtë rast, Porti i Durrësit (Porto Romano) por edhe Elbasani, Struga, etj., marrin vlera strategjike jo vetëm për shtetet ku ndodhen, por për të gjithë Europën: mund të themi që bëhen nyje me vlerë europiane. Kjo nënkupton dhe financim europian.
Së treti, Korridori 8 është i vetmi korridor horizontal që lidh detin Adriatik me Detin e Zi dhe që kalon mes vendeve të NATO.
Në këtë situatë të nderë gjeopolitike, ky korridor çimenton rolin strategjik të Shqipërisë në sigurinë e Europës Juglindore, dhe plotëson kontributin që japim me TAP në sigurinë energjetikë të Europës.
Cila është perspektiva e financimit, kriteret dhe afatet e ndërtimit?
Avantazhi i përfshirjes në Korridoret Europiane është bashkëfinancimi nga BE deri në 50% të punimeve, si dhe prioritizimi i këtyre segmenteve. Kriter mbetet pjekuria e dosjes teknike që duhet të përgatitet nga pala shqiptare, dhe me mbështetjen e BE-së.
Afati duhet të jetë operacionalizimi i segmentit para vitit 2030, dhe jo më vonë se 2040.
Cila është infrastruktura mbështetëse që do të zhvillohet përgjatë këtij korridori?
Me rëndësi kapitale është Porti i Durrësit (Porto Romano) i cili kthehet në port rajonal, i lidhur sipas parametrave europianë me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën, rrugë, shina, elektrifikimi i hekurudhës, etj.
Sidoqoftë i takon qeverisë të krijojë vizionin dhe kushtet që Korridori 8 të bëhet një vektor zhvillimi për vendin dhe rajonin, përtej një rruge ose një hekurudhe.
Cila është rëndësia strategjike në këndvështrimin politik dhe ekonomik i këtij aksi?
Nga pikë fundore (siç ishte në hartën e dhjetorit 2021), Shqipëria kthehet në platformë shkëmbimesh dhe përpunimi të mallrave për rajonin.
Së dyti, rriten investimet në hekurudha në vend.
Së treti, Korridori 8 dhe së bashku me nyjat e tij logjistike dhe portuale hyjnë në listën e aseteve gjeopolitike të Europës, dhe si të tillë përfitojnë vëmendje dhe mbështetje prioritare./Monitor
Comments are closed.