Aktori Arben Derhemi ka zbuluar detaje të reja lidhur me rikthimin e serialit kaq të dashur për shqiptarët ‘Njerëz dhe fate’. I ftuar në “Dola te Ola”, Derhemi tha se kasti i aktorëve do të jetë 80% i atyre që kanë qenë, duke filluar nga vetë ai, Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Eni Jani, Pavlina Mani e cila do të filmohet në Amerikë ku jeton dhe në Shqipëri. Arben Derhemi shtoi se si fillim do të ketë 15 seri të reja, pasi është një punë e madhe dhe duhet shumë investim. Xhirimet, sipas aktorit do të bëhen në Shqipëri e Kosovë.
“’Njerëz dhe Fate’ është sfida e jetës time. Po mos ta merrja unë këtë hap nuk do të bëhej e mundur. Ngjarjet do të jenë edhe më të forta se në seritë e para. Kasti i aktorëve do të jetë 80% i atyre që kanë qenë, duke filluar nga vetë ai, Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Eni Jani, Pavlina Mani e cila do të jetë sa në Amerikë aty ku ajo jeton, sa në Shqipëri.
Do ta ndërlidhim me jetën e saj atje. Si fillim do të ketë 15 seri, pasi është një punë e madhe dhe duhet shumë investim. Është një staf prej 45 vetësh, të cilët për rreth dy muaj e gjysmë do të spostohen në vende të ndryshme të Shqipërisë dhe Kosovës. Edhe aktorja Arta Muçaj, që luante personazhin e Didit, do të jetë gjithashtu në serial, por do të ketë edhe personazhe të tjerë,”- tha Derhemi.
‘Njerëz dhe fate’ është telenovela e parë shqiptare dhe drama që mbajti ‘mbërthyer’ të gjithë shqiptarët në vitet 2002-2003. Seritë sollën një nga një problemet më kryesore të atyre viteve në shoqërinë shqiptare, plagën e emigracionit, përfshirjen e të rinjve në trafikun e drogës dhe bandat si dhe prostituimin e vajzave adoleshente.