Gazetari investigativ Artan Hoxha ka komentuar të dhënat më të fundit lidhur me zhdukjen e Ervis Martinajt. Në fjalën e tij gjatë emisionit të Nisida Tufa “Kjo javë”, Artan Hoxha tha se i qëndron versionit të tij, se Martinaj është eliminuar. Por gjithashtu ka nxjerrë në pah edhe faktin që deri më tani nuk ka pasur asnjë vrasje.

“Autoritetet tona ende nuk kanë një përgjigje, por versioni i tyre është afër me atë që kanë thënë unë. Kemi të bëjmë me një rrëmbim, zhdukje dhe eliminim fizik. Janë futur shumë pista, ka shumë kontrolle. Por ende nuk ka një përgjigje zyrtare se çfarë ka ndodhur me Ervis Martinaj. Tani rrethi i tij është jashtë loje tani, pas zhdukjes së tij, vrasjet u zhdukën si me thikë,”-tha Ervis Martinaj.

Martinaj rezulton i zhdukur që prej 9 gushtit. Ai ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova.

Rama vendosi dhe 100 ditë afat për kryepolicin Muhamet Rrumbullaku, por pavarësisht se afati ka skaduar, nuk ka asnjë gjurmë. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version. Ish-efektivi Jeton Lami që u arrestua pas zhdukjes së tij është personi kyç që mund të hedhë dritë mbi ngjarjen. ‘Alarmi’ për zhdukjen e këtij të fundit bëri që të kqyreshin pamjet filmike dhe në një prej tyre, Lami shihej teksa futej në një hotel bashkë me Martinajn e një vajzë. Dëshmia e Lamit është konsideruar kyçe për zbardhjen e zhdukjes së të shumëkërkuarit, por efektivi deri më tani nuk ka hapur gojë./Dosja.al