Psikologia e maternitetit të Shkodrës, Blerta Rroji ka treguar për herë të parë se çfarë ka diskutuar me 32-vjeçaren, Orjana Gremi, e cila hodhi foshnjën e saj në lumin Kir duke i sjellë vdekjen. Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euroneës Albania, Rroji bëri të ditur se ka komunikuar me 32-vjeçaren, edhe pasi doli nga spitali dhe ajo i kishte thënë se ishte shumë mirë me foshnjen e saj dhe se nuk duhej të merakosej.
“E kam pyetur si është gjendja e saj, si është gjendja e fëmijës. Oriona më ka treguar se fëmija është shumë mirë, unë vetë jam shumë mirë, nuk kemi asnjë lloj problemi, familjarët e mi janë duke më ndihmuar. Pasi ka dalë nga spitali, atë ditë, më 4 janar. E kam pyetur në telefon, kam komunikuar atë ditë me të dhe më ka thënë që unë dhe fëmija jemi shumë mirë, mos u merakos për ne,”- theksoi ajo.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur të premten e 6 janarit. Orjana Gremi hodhi foshnjen e saj të seksit mashkull në lumin Kir. Ajo që është edhe më e rëndë është fakti se Policia dhe Spitali i Shkodrës nuk mundën ta ndalonin krimin e rëndë edhe pse u njoftuan, pasi e reja kishte rrëfyer se do të bënte aktin makabër. Tani ajo ka përfunduar në prangat e Policisë së Shtetit, ndërsa i ati i fëmijës ende nuk dihet. Deri më tani, mjekët dhe drejtori i spitalit në Shkodër kanë treguar se ajo nuk e donte fëmijën, e kishte kërkuar që ta braktiste në shtëpinë e foshnjës, por më pas ndërroi mendje dhe vendosi që të largohej me të në shtëpinë e saj. Më 4 janar doli nga spitali, ndërsa më datë 6 kreu krimin horror.