Datat 2 dhe 3 janar kanë shënuar fluks në pikën kufitare të Kapshticës, pasi emigrantët kthehen në Greqi. Vetëm të hënën numërohen 5 759 persona në dalje dhe 2807 në hyrje. Herë pas here krijohen radhë në tokën neutrale për shkak të përpunimit të dokumentacionit të autobusëve.

Pala shqiptare po punon me procedurë të përshpejtuar me 4 sportele në dalje dhe 2 në hyrje, ndërsa pala greke punon me 2 sportele. Po kështu nga Kakavija gjatë 24 orëve të fundit janë larguar drejt Greqisë 5600 persona ndërsa kanë hyrë 2100 të tjerë.

Policia shqiptare njofton se pavarësisht fluksit të madh të qytetarëve, nuk janë krijuar radhë të gjata.

“Policia e Shtetit/Vijon kthimi normal për në vendet e punës, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar të qytetarëve shqiptarë që erdhën në Shqipëri, për të kaluar festat e fundvitit. Policia Kufitare ka shtuar masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për krijimin e lehtësirave për të gjithë shtetasit shqiptar që kthehen në vendet e tyre të punës dhe për qytetarët që udhëtojnë për qëllime të ndryshme. Masat, të koordinuara mekap homologët në pikat tokësore, me qëllim pasjen e një lëvizjeje të njëtrajtshme në të dyja anët e kufirit.

Policia Kufitare, në të gjitha pikat e kalimit kufitar, ka shtuar sportele në dalje të Republikës së Shqipërisë, me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe krijimin e lehtësirave për të gjithë shtetasit që erdhën në Shqipëri, për të kaluar festat e fundvitit dhe që tashmë po kthehen në vendet e tyre të punës. Në të gjitha pikat e kalimit kufitar vijon lëvizja normale dhe nuk janë krijuar radhë apo vonesa për qytetarët dhe automjetet që qarkullojnë në të dyja anët e kufirit”, njofton policia.

Kjo panoramë është kthyer tashmë në diçka të zakonshme, për rastet e festave dhe pushimeve verore, me emigrantët që kthehen në atdhe.