Sa herë që ngjitet në skenë ajo korr sukses, sa herë që interpreton në filma nderohet, vetëm këtë mund të thuash për aktoren e madhe Tinka Kurti. Sot është ditëlindja e saj dhe aktorja feston 90-vjetorin e lindjes.

Padyshim që në këtë ditë të shënuar për të urimet ka qenë të pafundme nga miq, familjarë dhe dashamirës të saj, por një urim të veçantë ka marrë edhe nga kryeministri Edi Rama.

Rama nëpërmjet një postimi në “facebook” ka shpërndarë foton e aktores në skenë dhe e uron duke shkruajtur: Edhe 100, gëzuar.

Aktorja e cila ka lindur në Sarajeve më 17 dhjetor 1932, gjithmonë është shprehur se ajo është aktore e Shkodrës: Unë jam aktore e Shkodrës. Atje kam dashurinë e dhimbjen, mallin dhe pengjet e mia.

Gjatë karrierës së saj aktorja Tinka Kurti ka interpretuar rreth 260 role në skenën e teatrit dhe 95 role në kinematografi./abcnews.al