Eduart Lamaj në lidhje “Skype” nga “Jordan Misja” ka treguar dinamikën, sipas versionit të tij, për vrasjen e Paulin Gjergjit dhe Bujar Likës natën e 30 majit brenda një hoteli.

Për vrasjen e ndodhur, autori tha se ngatërroi shënjestër dhe se nuk kishte lidhje me asnjë bandë kriminale që donte të eliminonte miqtë e Ervis Martinajt. Ai tregon lidhjet me Ervis Martianjn dhe versionin e tij të ngjarjes, duke ngulur këmbë se kishte shkuar për të dëmtuar pronën e Arjan Allamanit, i cili 15 vite më parë i kishte marrë 3 mijë euro dhe e kishte ofenduar atë dhe vëllanë e autorit. Pasi këmbëngul se kishte hyrë për të bërë dëm dhe jo të vrarë tha edhe se kishte tentuar që t’u bënte be familjarëve të viktimave se pista nuk ishte ashtu siç pretendonte Prokuroria dhe se edhe viktimat e kishin qëlluar e se gjithçka e kishte bërë për vetëmbrojtje.

“Nuk është e mundur fare. Unë Ervisin e kam njohur si qytetar të Laçit, sikur e njeh gjysma e Laçit, pasi ka ndenjur dhe ka qëndruar në Laç. Nuk kam pasur asnjëherë konflikte as me Ervisin, as familjen dhe as shokët e tij. As me Bujar Likën nuk kam pasur konflikt. Një javë parë ishte te lokali i Ervis Martinajt, te “Arbëria” i kam përshëndetur, më kanë përshëndetur. Nuk kam pasur fare lidhje.

Komunikime, lidhje të ngushtë nuk kemi pasur, por njohje. Unë i kam çuar haber, i kam bërë be familjes, t’i laj në çdo mënyrë dhe nuk më kanë pranuar. I kemi çuar fjalë, deri diku e kanë pranuar fjalën, por jo benë, që doja të bëja. Unë kërkoja që ta dinin dy familjet që nuk kam shkuar për atë punë atje, për të vrarë ata të dy,”- tha ai te “Uniko”.