Në Shkodër u zhvillua dëgjesa publike lidhur me ndërtimin e hekurudhës së re, linja Vorë-Hani Hotit, një projekt me vlerë 243 milion euro, financim i Bankës Europian për Rindërtim, BERZH.

Ekspertët paralajmëruan shembjen e objekteve që pengojnë zgjerimin e hekurudhës dhe mbylljen e kalimeve të paligjshme të ndërtuara në mënyrë kaotike 30 vitet e fundit.

“Momentalisht jemi diku tek 5,5 metra deri në 6 metër, te pjesa e gjerësisë së trashesë, ku do të shkojë diku te 6.6 metër. Nuk do të ketë më kalime të pasigurta duke rrezikuar jetën e njerëzve,” thonë ata.

Plani vuri në alarm banorët në afërsi të hekurudhës, duke patur dyshime se shtëpitë e tyre të ndërtuara 30 vitet e fundit do të prishen. Ndaj shpërthyen edhe në akuza

“Tapitë që kam marrë i kam paguar paratë. I kam paguar lekët Edi Ramës, nuk ja kam paguar Bashkisë Shkodër,” tha një banor.

Inxhinierët i qetësuan, se shtëpitë nuk do të preken.

“Apsolutisht nuk do ketë prishje të banesave. Mund të ketë shpronësime të tokave, sepse do dalin shumë pronarë tani,” thanë ata.

Përveç ndërtimit të 12 stacioneve të reja hekurudhore, linjës dhe elementëve të sigurisë, shpejtësia e trenit në hekurudhën e re Vorë-Hani Hotit, pritet që të jetë 120 kilometër në orë.