8 Dhjetori për të gjithë shënon ditën e rinisë, ditën e cila shembi njëherë e përgjithmonë shembjen e regjimit komunist në Shqipëri.

Mijëra të rinj dhe të reja, studentë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, me thirrjet e “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” i dhanë “shuplakën” e fundit një sistemi diktatorial në Shqipëri.

Por sot në këtë ditë të shënuar për rininë, Shkodra duket se hesht, duke e kthyer këtë datë thjesht në një ditë pushimi zyrtar, pa asnjë event të programuar për të rinjtë.

Institucionet sot, nuk ngrenë zërin për të rinjtë shkodranë të cilët përballë indiferencës, mungesës së mbështetjes, por edhe ideve apo projekteve konkrete për ta po zgjedhin të ikin, të braktisin vendin si e vetmja formë reagimi përballë indiferencës.

Në këtë ditë të shënuar për rininë, Koalicioni “Bashkë për fjalën e lirë” kërkon nga institucione vendore, e në mënyrë të vecantë nga bashkitë e Qarkut Shkodër, krijimin e një platforme mbështetëse për të rinjtë në territorin e Qarkut Shkodër.

Ky koalicion është i gatshëm të ofrojë të gjithë asistencën e nevojshme me ekspertët dhe të rinj të mirëarsimuar që të jenë pjesë e hartimit të kësaj platforme që do ti sjellë të rinjve shkodranë një dritë jeshile apo shpresë për të jetuar në Shkodër, si një mundësi për të dhënë kontributin e tyre këtu dhe jo rrugëve të Evropës.

Bashkë NE mundemi, të rinjtë nuk mund të braktisen, janë ato që sjellin frymëzim dhe shpresë për të ardhmen