Mjeku Ilir Alimehmeti është tërhequr nga gara e Primareve. Në një dalje për mediat së bashku me ‘rivalin’ e tij në garë, Belind Këlliçin, mjeku bëri të ditur se anëtarësia foli me votën e saj, duke nënëkuptuar tërheqjen nga balotazhi.

‘Jemi këtu më pak se 24 orë nga Primaret ku anëtarësia shprehu vullnetin me votë për herë të parë, në respekt të votës e duke falënderuar çdo votues, për një proces që shkoi pa asnjë vërejtje, u numërua me transparencë të plotë. Që në fillim kam qenë i bindur që rolin kryesor duhet ta kishte anëtarësia që dje foli pro Këlliçit. Ju kam dalë zot që sido të shkonte do t’i isha në krah. Kjo është shenja e parë, të njohësh votën e ta respektosh. Do vijojmë punët përkundrejt fitores në 14 maj’ tha Alimehmeti.

Nga ana tjetër, fituesi i Primareve për Tiranën, Belind Këlliçi deklaroi për mediat se shqiptarët do befasohen nga ky standart që është vendosur në politikën shqiptare.

“Sot shqiptaret janë të befasuar nga ky standard i vendosur në politikën shqiptare. Fokusin kryesor e kam pasur te baza dhe anëtarësia e Partisë Demokratikë. Kjo ka qenë një fushatë civile e qytetare, jemi sërish me njëri-tjetrin. Jam i bindur se ky është një ogur i mirë në politikën shqiptare. Jam krenar që kam qenë pjesë e këtij procesi dhe për ta çuar një standard më tutje ne sot publikisht do adaptojmë një formë amerikane të garës, formën presidenciale. Ashtu si në Amerikë kam kënaqësinë më të madhe sot që kur I kam hyrë këtij rrugëtimi kam qenë I bindur se do ta mundja Veliajn në garën për Tiranën, me Alimehmetin si krahun tim të djathtë dhe nënkryetar të bashkisë së Tiranës që nga 14 maji ne do sjellim një model krejtësisht ndryshe. Falënderoj dr. Ilir Alimehmetin të cilin kam pasur fatin ta njoh para angazhimit tonë në politik. Është fisnik dhe fisnikëroi dhe më shumë garën. më 14 maj do të sjellim një model të të bërit politikë krejt ndryshëm. Falënderoj të gjithë demokratët, të cilët dolën ditën e djeshme dhe pse në kushte të vështira për të votuar. I vetmi lajm i keq sot është lajmi për Erion Veliaj që PD dhe opozita e bashkuar kanë këtë standard. Jam ndier i privilegjuar dhe jam ndjerë krenar që kam qenë në një garë me dr. Ilir Alimehmetin. Nga ky moment fillojmë fushatën së bashku përballë Erion Veliajt.”, tha Këlliçi.

Procesi i Primareve në Partinë Demokratike për Tiranën shkoi në balotazh mes mjekut Alimehmeti dhe Këlliçit. Belind Këlliçi mori 4040 vota, ndërsa mjeku 2196 vota. I treti më i votuar rezultoi të ishte Gerti Bogdani me 1819 vota.