Dikur një port i rëndësishëm në breg të lumit Buna, sot Oboti gjendet i pambrojtur përballë vërshimit të përvitshëm të ujërave.I përbërë nga rreth 150 shtëpi Oboti është një nga fshatrat më të dëmtuar nga përmbytjet vitet e fundit.Megjithëse uji është tërhequr nga tokat bujqësore dëmet janë të shumta në kulturat bujqësore dhe në banesa.

Shumë shtëpi pothuajse janë bërë të pabanueshme si pasojë e përmbytjeve të vazhdueshme.Kryetari i fshatit Obot Gregor Pemaj ankohet se deri tani askush nuk ka shkuar për të verifikuar dëmet.Ai thotë se kompensimi është i domosdoshëm pasi ekonomia e familjeve është shkatërruar.

Sipas kryetarit të fshatit mundësia e shpëtimit të Obotit dhe gjithë zonës së Nënshkodrës shihet e ndërlidhur me një projekt që ka të bëjë me hapjen e një kanali emergjence në fshatin Ashtë deri te Ura e Gjo Lulit në Velipojë, ku i gjithë uji i mbledhur nga shkarkimet e hidrocentralit të kalojë përmes ketij kanali dhe të derdhet në det.

Ndërkohë administratori i njësisë Ana e Malit Arben Ceni jashtë kameras tha se bashkia Shkodër pritet që brenda pak ditësh të nisë verifikimet në terren dhe të bëjë një bilanc të dëmeve që shkaktoi përmbytja në kulturat bujqësore dhe nëpër banesa.

Të vetmen shpresë për shpëtim banorët e Obotit e shohin tek gjetja e rrugëve për të shmangur shkarkimet nga hidrocentralet e kaskadës së Drinit.