Realitete të padrejta në peshoren e një hadithi!

Realitete në të cilat vegjeton një qytet i tërë, i nëpërkëmbur dhe i keqtrajtuar nga qeverisja plot huqe e teka e 30 viteve të fundit. Pa asnjë investim madhor të spikatur. I sunduar nga ngjyrat e urrejtjes së fshehur dhe grryerjes së nëntokës së tabanit dhe identitetit.

I sulmuar pas shpine dhe i prerë në besën e buzëqeshjeve tinzare dhe dhëmbëve të bardhë në dukje, në gojë të palara e hakmarrëse ndaj komplekseve dhe paranojave gjenetike në shpirtra të humbur e zemra në tunele pa dritë! Një qytet, që trajtohet si mall gabi, si pronë private, si sfungjer e si trampolinë, që shërben herë pas here e vit pas viti për të promovuar kllounë e figura banale, që i imponohen, si dëshmitarë të frymës reale të përzgjedhësve, jo zgjedhësve të mashtruar, të dehur pas mirazheve të rreme, a të përgjumur në indiferencën karakteristike të shoqërive të llastuara!

Një qytet, që kushedi kush e pse, është lejuar t’i shkruajë “historinë” e tij, ndërtuar mbi legjenda banale, urrejtje fetare, provincializëm e rrjedhje brenda trurit të tij.., që simbol kanë pabesinë, pandershmërinë, shtirjen e qurravitjen, për të arritur majat e Olimpeve, në botën e kujt, akoma adhuron zota të shumtë, që s’vlejnë as për vitrina koleksionistësh veteranë! Një qytet, që vazhdon të mbahet peng i frymërave, që duhen dëbuar e pastruar në mënyrë urgjente, për ta shpëtuar të sotmen e fëmijëve, para se e nesërmja të jetë edhe më dëshpëruese! Imam Muhamed B. Sytari Myfti i Zonës Shkodër
E xhuma, 2 dhjetor 2022