Ditën e sotme është finalizuar hapja e rrugës së re drejt aeroportit të Rinasit. Rruga e re krijon një unazë qarkulluese në Aeroportin e Rinasit duke lehtësuar të gjithë trafikun që krijohet gjatë sezonit veror.

Lajmi është bërë i ditur nga një video e shpërndarë në facebook nga kryeministri Edi Rama ku shfaqej edhe zëvendës kryeministrja, Belinda Balluku e cila inspektoi përfundimin e punimeve dhe hapjen e aksit rrugor që pritet të lehtësojë të gjithë problematikën e trafikut që krijohet gjatë sezoneve kur në vend shtohet numri i automjeteve për shkak të sezonit veror apo sezonit të festave të fundvitit.

“Ndodhemi në rrugën e re e cila krijon një unazë qarkulluese në aeroportin e Rinasit duke shfryrë kështu trafikun dhe gjithë problematikën që kemi pasur kryesisht gjatë sezonit veror për hyrjet dhe daljet nga parkingjet. Nuk kemi gjithë fluksin e trafikut që vinte si nga veriu e si nga Tirana dhe që rrotullohej rreth bustit të Nënë Terezës që nuk kishte kapacitete për ta mbajtur. Në mes të rrugës nga qafa e Kasharit në drejtim të Rinasit kemi një dalje djathtas që dërgon një pjesë të trafikut, pra atë pjesë të trafikut që është e dedikuar vetëm për aeroportin e Rinasit”- u shpreh Balluku.