Dy persona janë arrestuar, një është proceduar penalisht, ndërsa është shpallur në kërkim pronari i një lokali pasi kishte përshtatur ambjentet për lojëra fati.

Me finalizimin e operacionit “Poker 5” u arrestuan në flagrancë shtetasit:

Syrjan Zekaj, 22 vjeç, banues në Koplik, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”;

Shkelzen Bajraktari, 34 vjeç, banues në Koplik, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim pronari i lokalit, shtetasi Lidjo Gojcaj, 25 vjeç, banues në fshatin Jubice, Malësi e Madhe, për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”.

Gjithashtu u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. H., 45 vjeç, banues në Bogiq, Malësi e Madhe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në Koplik, në ambientet e lokalit me administrator shtetasin L. G., janë gjetur 1 tavolinë pokeri, 5 makineri elektronike për lojëra fati, një valixhe me çipsa që përdoren për lojëra fati, letra bixhozi dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike canabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale,” njoftoi policia.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.