Seanca në gjykatën e Apelit ku do të shqyrtohej ankimimi i Partisë Demokratike, kundër vendimit të marrë nga gjykata më 18 mars 2022, kur regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të PD-së të 17 korrikut 2021, është shtyrë për datën 10 nëntor. Shkak për shtyrjen mungesa e avokatit Indrit Sefa, i cili ka kërkuar shtyrje pasi është i sëmurë.

PD thekson në akimimin e saj se Gjykata duhet të kishte shqyrtuar edhe kërkesën tjetër të Partisë Demokratike, për regjistrimin e ndryshimeve në Statutin e Kuvendit të 18 dhjetorit.

‘Prishjen e Vendimit me Nr.1337/218 Regj Themeltar i datës 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtare Blerina Muça duke vendosur kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trupë gjykuese.

Ose Ndryshimin e Vendimit me Nr.1337/218 Regj Themeltar i datës 18.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtare Blerina Muça duke vendosur: Pasqyrimin e ndryshimeve te Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021.

Pasqyrimin e ndryshimeve te Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë të kryera në Kuvendin Kombëtar të datës 18.12.2021.’- theksohen në ankimimin e PD-së.

Një ndër vendimet e rëndësishme të Kuvendit të 18 dhjetorit, ishte përjashtimi nga partia e personave që janë “non grata” nga SHBA-të duke synuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Sali Berishën. Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë ‘zhbëhet’ Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës.

Gjyqtarja Blerina Muça pranoi në 18 mars të 2022 kërkesën e bërë nga Gazmend Bardhi për njohjen e ndryshimeve në statutin e PD të miratuara në 17 korrik 2021, vendim i cili u ankimua më pas nga vetë Bardhi që kërkoi bashkëngjitjen e ndryshimeve të vendosura nga Kuvendi i thirrur nga Lulzim Basha më 18 dhjetor.

Ndërkohë ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës. Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, e cila do të ishte një vendim i formës së prerë që do vendosë për fatin e Partisë Demokratike.

Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.